E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolaneci: “Si e ndërtuam piramidën për Enverin”

EKSKLUZIVE/ Flet dhëndri i Enver Hoxhës, Klement Kolaneci

Petrika GROSI
Me rastin e publikimit të pasurisë së sekuestruar të liderit komunist në muzeun madhështor që u ngrit për të përjetësuar figurën e tij pas vdekjes, po ribotojmë edhe njëherë intervistën ekskluzive që dhëndri i Hoxhës, arkitekti i njohur Klement Kolaneci ka dhënë para pak kohësh për gazetën “Albania” si projektues i Piramidës.
Pas vdekjes së Enver Hoxhës u kryen një sërë ceremonish dhe në nivelet madhore të Partisë se Punës, Byrosë e të Komitetit Qendror u diskutua se si do të përjetësohej figura e udhëheqësit komunist. U harta një program, sipas të cilit më pas u vendosën bustet e Hoxhës në qytetet kryesore vendit. Një nga pikat e këtij programi ishte dhe ndërtimi i një muzeu për Enver Hoxhën, i cili duhej të ideohej dhe të ndërtohej brenda një kohe rekord prej dy vjetësh (’86-’88) për t’u inaguruar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij. Projekti ju besua arkitektit të njohur Klement Kolaneci, i cili ngriti një grup projektimi ku merrnin pjesë Pranvera Hoxha, Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu. Ata zgjodhën vendin dhe modelin aktual të një piramide, si modelin më të përshtatshëm për funksionin e një muzeu. Në sheshin ku sot është kryeministria dhe Piramida në atë kohë kanë qenë 3-4 ndërtesa 2-katëshe, Drejtoria e Dytë që merrej me sigurimin e udhëheqjes, ish-shtëpia e Kadri Hazbiut dhe disa shtëpi të tjera që u shpronësuan. Por si u vendos që të ndërtohej pikërisht një piramidë, cilat ishin rrethanat dhe shkaqet e ndërtimit të kësaj vepre, mënyra si u punua e shumë të tjera, i tregon me detaje në intervistën që vijon më tej, ekskluzivisht për gazetën “Albania”, projektuesi i piramidës, arkitekti i njohur Klement Kolaneci.
Z.Kolaneci, a mund të na tregoni sesi lindi ideja dhe si u vendos që do të ndërtohej Piramida në kryeqytet?
Vendimin e mori Komiteti Qendror, por u krijua një grup nga Instituti jonë me katër veta ku unë isha kryetari, pastaj ishte Pranvera, Pirro Vaso, dhe Vladimir Bregu, një arkitekt i ri. Patjetër që kontributi për këtë vepër ishte i të katërtve dhe nuk mund të thuash që e bëra vetëm unë. Vepra të përmasave të tilla nuk dalin asnjëherë nga një njeri i vetëm. Ideja ishte që të ndërtonim një vepër funksionale, e cila të përballonte materializimin e funksionit. Natyrisht që ideja fillestare nuk ishte që të bënim një piramidë. Në një godinë klasike ne kemi një çati dhe linjat vertikale që janë muret. Ne nuk bëmë asgjë tjetër veçse bashkuam diagonalet dhe ajo që në godinën klasike është mur, këtu fillon si mur e mbaron si mbulesë. Zgjedhja e piramidës lidhet me tri motive, duke nisur që nga antikiteti i historisë së kombit tonë me varret, megjithëse këtu ishte e qartë se nuk do të kishte varr. Atë ditë kur ne po diskutonim, mbaj mend se binte shi dhe një çast u hap në qiell një re nga ku doli dielli. Po të shikoje nga malet, aty binte një dritë tepër harmonike. Nëse e vështron piramidën, sidomos nga lart, ne e kemi bërë të tillë që ajo të shkojë në harmoni me formën e malit të Dajtit. Në të njëjtën kohë ajo u ndërtua si një godinë jo me funksion të ngushtë, por si guackë e hapur nga brenda. Ideja ishte e krijimit të një hapësire të vazhdueshme komunikuese me të gjithë ambjentin. Kur hyn nga jashtë brenda në godinë gjithmonë drita të shoqëron. Kjo vlen për sallën e muzeut, pasi sallat poshtë, ajo e kinemasë, apo të tjerat, natyrisht që janë të mbyllura sipas funksionit.
Nga u frymëzuat për ta sjellë veprën tuaj pikërisht në formën e Piramidës që shohim sot?
Shumë njerëz mendojnë që arkitekti, për punë të tilla shfleton një literaturë ose shikon jashtë shtetit për të krijuar një ide, por në këtë rast kjo nuk vlen. E para, ne nuk kishim kohë në dispozicion që të shqyrtonim literaturë dhe të vizitonim muzetë nëpër botë pasi ishim viti ’85 dhe gjithçka duhet të përfundonte në ’88-n. Data e inagurimit ishte fikse dhe nuk mund të shtyhej. E dyta, siç ju thashë qëllimi kryesor ishte që të ndërtonim një vepër sa më funksionale si muze. Kjo ishte një sfidë për ne, pasi gjithçka duhej të bëhej në mënyrë të përshpejtuar duke shmangur burrokracitë dhe brenda afatit duhej të dilte një gjë e bukur, në rast të kundërt, nuk kishte asnjë rrugëkthim mbrapa. Deri në periudhën e gjashtë muajve të fundit nga shumë njerëz ka pasur pikëpyetje për punën tonë, si po ecte, çfarë po bënim, si do të dilte në fund...? Unë për vete isha i bindur që kjo vepër do të dilte shumë mirë, megjithëse kisha pikëpyetjet e mia deri në momentin e fundit. Edhe sot mund të ketë shumë njerëz që sipas shijeve të tyre mund ta pëlqejnë ose jo nga pikëpamja arkitektonike.
Çfarë sigurie ka godina përsa i përket sizmologjisë?
Një godinë e tillë është shumë e thjeshtë dhe shumë e sigurtë. Grupi jonë ishte i përgatitur dhe zgjodhi këtë formë të natyrshme, e cila në krahasim me çdo lloj forme tjetër i ndjen më pak efektet negative të lëkundjeve sizmike. Në një kon të shtrirë qendra e gravitetit është shumë poshtë dhe nuk ka rreziqe të kësaj natyre.
A ka qenë i vështirë sigurimi i materjaleve për ndërtimin e piramidës?
Vështirësi ka pasur por nëse kemi parasysh koston, ka qenë shumë më e ulët nga ajo që do të kushtonte nëse ndërtojmë sot një vepër të tillë. Vlera e materialeve, duke qenë se prodhoheshin në vend kishte një kosto shumë më të ulët. Xhamat, sistemi i kondicionimit u blenë jashtë, edhe ato kishin kosto më të ulët se sa sot.
Dhe sa mendoni se do të shkonte kostoja e Piramidës nëse do të ndërtohej në ditët e sotme?
Kam përshtypjen se vetëm rikonstruksioni i saj kap një shifër, në mos gaboj prej 4 milionë eurosh, ndërsa siç u punua në atë kohë, maksimumi piramida ka kushtuar 2 milionë euro.
Pra ju nuk vizituat muze të tjerë jashtë shtetit për t’u mbështetur në eksperiencat e tyre?
Nuk kishim se çfarë të shikonim pasi nuk kishte objekt tjetër në ngjashmëri me këtë. Jashtë janë blerë vetëm materialet që nuk mund të siguroheshin në vend. Individë nga grupi jonë mund të kenë vajtur jashtë shtetit për punë të tjera, por jo për të parë modele për muzeun që ne do të ndërtonim. Kishim tendencën për të bërë diçka më të avancuar për kohën se sa muzetë që ndodheshin në vendet e tjera, kështu që nuk mund të frymëzoheshim nga to.
Thatë se nuk ka ekzistuar ndonjëherë ideja për të ndërtuar një mazoleum në vend të piramidës?
Mazoleumet janë thjesht objekte ku vendoset varri dhe në rastin konkret, që në fillim qe e qartë se nuk flitej për një të tillë. Nëse në atë kohë do të ishte diskutuar dhe miratuar ideja për një mazoleum, ngritjen e tij nuk e pengonte dot njeri. Si ide, ndoshta mazoleumi mund të jetë hedhur në nivele të tjera por jo në institutin tonë. Na thuhej që duhet bërë një vepër për një funksion të caktuar dhe ne duhej të shikonim mënyrat se si mund që kjo të bëhej sa më mirë, por nuk kishim kompetenca për të vendosur se çfarë do të bëhej përfundimisht. Vetëm vendin ku duhej të ndërtohej muzeu (piramida sot) e kemi vendosur ne. Dmth. e propozuam dhe u miratua menjëherë nga instancat eprore.
Në një të ardhme të afërt, piramida do të ketë ndryshime. Si e prisni ju këtë gjë duke qenë se jeni projektuesi i saj?
Gjithmonë një projektuesi i vjen keq kur i ndryshohet një vepër e tij, ku ai ka punuar me pasion, mirë apo keq. Por, edhe më tepër keqardhje, projektuesi ndjen kur shikon se vepra e tij nuk mirëmbahet dhe shkon drejt shkatërrimit. Në këtë kuptim, është shumë më mirë ideja e hedhur për t’u rikonstruktuar dhe për të pasur godina një funksion, se sa të banalizohet në një vend me ekspozita sapuni. Është një vepër për të cilën kanë derdhur djersën shumë specialistë, një brez, një komb i tërë. Përdersia piramida u shfaq një vepër që kohës i reziston, ajo duhet të ketë një funksion në harmoni me atë që kërkon koha. Piramida është një vepër që nuk mund ta ndërtosh në çdo kohë dhe ajo nuk duhet lënë të prishet. Është shumë e mirë ideja për ta kthyer në teatër dhe galeri. Piramida është pjesë e vlerave dhe historisë së Tiranës.

4 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›