Dështimi i paketës fiskale, përplasje mes këshilltarëve të PS-së dhe PD-së
LEZHË – Dështimi i mbledhjes së të ardhurave nga bizneset vendore është diskutuar edhe një herë në Këshillin Bashkiak të Lezhës, i cili ka përfunduar me përplasje të ashpra mes anëtarëve të dy forcave kryesore politike. Drejtuesit e grupeve të këshilltarëve, të cilët kësaj here kanë debatuar ashpër, duke arritur deri në konfrontim fizik, kanë akuzuar njëri-tjetrin për dështimin e skemës së miratuar vitin e kaluar të paketës fiskale. Kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Lezhës, Agustin Marku ka akuzuar të djathtët se mbledhja e të ardhurave ka dështuar, pasi në dhjetor është miratuar një paketë fiskale jo e zbatueshme, por duke i shërbyer kryetarit të Bashkisë, dhe për këtë ka dhënë ndihmën e tij edhe grupi i këshilltarëve të PD-së. Socialisti Marku u ka kujtuar këshilltarëve të Partisë Demokratike se në këtë mënyre nuk po realizojnë asnjë tregues pozitiv për Bashkinë e Lezhës, edhe pse kanë mazhorancën në këtë këshill. Këto deklarata nuk janë pranuar nga kryetari i grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike Tonin Uldedaj, i cili i ka kërkuar kolegut të tij socialist të mos bëjë fushatë politike, por t’i shërbejë qëllimit që kanë këshilltarët, shërbimin ndaj komunitetit. Sipas Uldedajt, votimi i paketës fiskale ka qenë një arritje, pasi për herë të parë votohet një paketë alternative e hartuar nga vetë këshilltarët, ndërsa hodhën poshtë atë të hartuar nga bashkia, e cila ishte iniciuar nga socialisti Marku. Debati në mes tyre ka degjeneruar në sulme verbale, ndërsa vetëm ndërhyrja e këshilltarëve të tjerë ka shmangur një përplasje fizike. Këshilltari socialist Marku ka mbrojtur idenë e tij se problemet në Bashkinë e Lezhës kanë për mbrojtje këshilltarët e djathtë, fjali e cila u hodh poshtë nga kreu i këshilltareve të PD-së Tonin Uldedaj. Edhe pse kjo mbledhje e këshillit bashkiak të Lezhës kishte mjaft pika të rëndësishme për diskutim, ajo u ndërpre disa here nga përplasjet mes krerëve te grupeve politike siç janë ata te PD-së dhe PS-së.
4 Tetor 2008