Plani Rregullues për Tiranën, periferitë do të preken nga prishja e ndërtesave
Emanuela Sako
Imazhi i ri i Tiranës do të kushtojë prishjen e mjaft ndërtesave dhe shpronësimin e pronarëve të objekteve të ndryshme. Pjesa më e prekur e kryeqytetit do të jenë zonat më periferike të, të cilat kanë dhe numrin më të madh të ndërtimeve që janë jashtë cdo plani urbanistik. Në këto zona ka mjaft ndërtime të reja, të cilat për shkak të zbatimit të planit do të bëhen pjesë e prishjes. Ndërsa Bashkisë së Tiranës i lind si detyrë që të bëjë dhe evidentimin e ndërtesave me leje dhe pa leje, nëpërmjet të cilave do të bëhet edhe shpronësimi i pronarëve të. Pas përcaktimit të zbatimit të projektit, do të nisin menjëherë inspektimet në terren, ku do të shqyrtohet dokumentacioni i nevojshëm i pronësisë dhe do të bëhet përcaktimi i vlerës reale të objektit që do të prishet. Qytetarët që kanë bërë ndërtime pa leje janë të detyruar të dalin në rrugë ose të mendojnë një zgjidhje tjetër për veten e tyre. Bashkia ka ndjekur të njëjtat procedura, si në projektin e Unazës së Madhe, në projektin e Lumit të Lanës. Në zbatimin e këtyre projekteve u shembën mjaft ndërtesa dhe nisën procesin e shpronësimit mjaft të tjerë. Këtë herë, në zbatimin e projektimit për Planin Rregullues të Tiranës, numri i familjeve ndërtesave dhe banorëve do të jetë më i madh se numri i atyre që janë bërë deri tani. Kështu, pas 6 vitesh pune intensive, në bashkëpunim me specialistët më të njohur europian nga fusha të ndryshme akademike dhe shoqërore, Bashkia e Tiranës prezantoi draftin e Planit të Ri Rregullues të Kryeqytetit.
Projekti
Plani rregullues i Tiranës që u prezantua nga Kryebashkiaku, Edi Rama, përmban më tepër zona të gjelbëruara dhe një plan urbanistike që do ta bënte kryeqytetin më europian. Periferitë e Tiranës do të jenë më të prekurat nga zbatimi i këtij plani. Kjo do të ndohë sepse këto janë zonat më informale, ku ka mungesë të infrastrukturës, mjaft ndërtime pa leje dhe pa asnjë lloj plani apo mjaft probleme të tjera, të cilat janë pjesë e ndërhyrjes për rregullimin e këtyre zonave. Të gjitha ndërtesat që shtrihen përgjatë zonës së Bregut të Lumit do të zëvendësohen me ndërtesa të reja. Kështu, zona e Bregut të Lumit do të shndërrohet në një park publik linear. Sipas planit të ri rregullues, Tiranës i shtohen 340 hektar zona industriale dhe 187 ha zona tregtare. Ky plan do ta shndërrojë Tiranën në një kryeqytet policentrik e multifunksional. Rama e ka parë si sfidë kryesore të bashkisë integrimin e të gjithë zonave informale në kryeqytet, si dhe ka deklaruar se do të respektohet procesi i legalizimit, duke e konsideruar të rëndësishme nevojën e domosdoshme të të gjitha atyre familjeve që jetojnë në këto zona për të pasur një infrastrukturë më të mirë. Sipas projektit, qendra e Tiranës do të jetë më tepër për këmbësorët dhe biçikletat, si dhe do të shtohen pjesët e gjelbëruara në këtë zonë. Po kështu, zonat e gjelbëruara do të shtohen edhe në pjesën përgjatë bregut të Lumit të Lanës. Njëkohësisht qendra e kryeqytetit do të ketë një korpus universitar. Plani i ri rregullues do të prezantohet para grupeve të interesit në të gjitha minibashkitë e Tiranës, nëpërmjet dëgjesave publike ku pritët të marrë vulën e qytetarëve.
Synimet
Plani rregullues synon të mbrojë burimet natyrore, të zonave delikate si lumenjtë e liqenet, zonat kodrinore, duke kufizuar ndërtimet në to. Njëkohësisht, synon të përmirësojë gjendjen ekzistuese të strukturës urbane, nëpërmjet krijimit të hapësirave publike, parqe lulishte dhe të krijojë akses në zonat tashmë të formuara, me hapjen e rrugëve të reja. Të orientojë zhvillimet e reja, me krijimin e poliqendrave dhe transformimin e zonave ish – industriale, të degraduara dhe të zonave të pastrukturuara apo pa identitet urban, në vende shkëmbimi të kulturave dhe të mirave materiale. Po kështu, ndërhyrja në të gjitha zonat e kryeqytetit synohet edhe organizimi i një transporti të integruar, që do të thotë, stacione te reja treni, krijim i korsive të dedikuara për transportin publik apo biçikletat si dhe parkimet publike. Tërësia e tyre mendohet të sjellë uljen e lëvizjes së mjeteve motorike private dhe rrjedhimisht aksesimin e menjëhershëm të qendrave të qytetit, nga çdo grup-moshë si dhe uljen e rëndesës së trafikut dhe ndotjes së ajrit. Në përfundim të tij, ky projekt gjigant do të jetë Plani i Parë Rregullues i periudhës së pluralizmit, i hartuar në bazë të një procesi të decentralizuar dhe gjithëpërfshirës. Sipas Ramës, për herë të parë, Plani Rregullues nuk është vetëm një studim/plan, por një kornizë rregullash konkrete, instrumentesh, që e bëjnë atë të zbatueshëm.
Plani Rregullues është proces kompleks:
I analizës së situatës dhe tendencave të zhvillimit
I vlerësimit të nevojave në rritje të kryeqytetit
I përcaktimit të vizionit tonë për të ardhmen e kryeqytetit dhe përcaktimit të synimeve konkrete për të arritur
I përmbushjes së nevojave në territor, nëpërmjet një balance dhe bashkëveprimi mes sektorëve kryesorë të jetës si banim, punësim, arsim, transport, mjedis, ekonomi, rritje, zhvillim, etj
box
Tre çështjet kryesore ku fokusohet plani janë :
Kanalizimi i dinamikave të rritjes urbane, si një sfidë pa precedent, të përshtatjes së qytetit, dhe mbi të gjitha infrastrukturës dhe sistemit të shërbimit, përkundrejt nevojave të popullsisë, brenda një sistemi urban efikas dhe të qëndrueshëm.
Ri-ekuilibrim i interesave publike e private, në procesin e zhvillimit urban, duke përshtatur këto role në kontekstin e një shoqërie të hapur e demokratike që bazohet në ekonominë e tregut të lirë.
Krijimi i një baze planifikimi të përshtatshëm urban, e cila do të integrojë funksione të ndryshme planifikimi të Tiranës, duke orientuar dhe duke i dhënë karakter detyrues proceseve rregulluese.
Zbatimi i planit që është bërë
studimi i transportit të integruar
studimi ekonomik – hapësinor
strategjia për mjedisin
rikualifikimet urbane
projekte zbatimi të rrugëve, si ai i Unazës së Madhe, Unazës së Vogël etj.
Çfarë synon të sjellë Plani për Qytetin?
Të akomodojë rritje të popullsisë prej 400.000 banorësh, për dekadën e ardhshme
Të promovojë zhvillimin ekonomik që të sigurojë 200.000 vende të reja pune
Të shtojë sipërfaqet e gjelbërta me 175 hektarë gjelbërim
4 Tetor 2008