E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Durrësit, shërbime speciale për pacientët që do të paguajnë më shumë



Emanuela Sako

Të gjithë pacientët që duan të kenë më tepër shërbime në spitalin e Durrësit, do t’iu duhet të paguajnë më tepër para. Por këtë herë paratë do të paguhen me dëshirën e tyre. Projekti i fundit i MSH-së parashikon që në 2009-ën Spitali Rajonal i Durrësit të ofrojë për pacientët që duan të paguajnë më shumë dhoma më të mira, ushqim më të mirë dhe shërbim më të kualifikuar spitalor. Gjithçka është bërë publike në Konferencën e Reformimit të Sistemit Shëndetësor, që u mbajt në Spitalin e Durrësit, i cili është i pari ku është shtrirë skema e sigurimeve shëndetësore. Në këtë takim kanë marrë pjesë Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, Zëvendëskryeministri Genc Pollo dhe specialistë të tjerë të shëndetësisë. Sipas MSH-së, kjo është një metodë e re që do të futet në spitalet tona, e cila do të rrisë edhe cilësinë për ata që do të paguajnë më shumë para. Kjo praktikë ndiqet në të gjitha spitalet e europës. Por, kjo nuk do të thotë që pacientët e tjerë që nuk kanë mundësinë e pagesës të trajtohen në kushte të vështira. Ndër objektivat e vendosura nga MSH-ja dhe ISKSH-ja, në këtë spital do të implementohen e shërbime ekstra në kundrejt tarifave shtesë, në bazë të të cilave do të ketë dhomë speciale, trajtim shtesë, etj.
Skema
Shpeshherë mjekët kanë diskutuar në takime të ndryshme për futjen e kësaj mënyre shërbimi ndaj pacientëve, por tashmë do të fillohet me spitalin e Durrësit dhe më pas do të shtrihet në qendra të tjera spitalore. Në disa raste ndodh që pacientët të kenë para, por nuk gjejnë dot mundësinë e shërbimit më të kualifikuar. Në këtë mënyrë, të gjithë ata që duan të kurohen apo trajtohen në mënyrë speciale mjafton që të paguajnë më tepër para. Gjatë konferencës së ditës së djeshme u vendosën disa objektiva që do të aplikohen Fillimisht në Spitalin e Durrësit dhe më pas edhe në spitale të tjera. Ndër to mund të përmenden: zbatimi i protokolleve të mjekimit në spital, krijimi i një data- base me të dhënat e të gjithë pacientëve që janë trajtuar në këtë spital, implementimin e elementit të bashkëpagesës në spital si faktor për rritjen e të ardhurave dhe cilësisë së shërbimit. Po kështu, për vitin e ardhshëm do të bëhet edhe implementimi i shërbimeve të reja si ato të Onkologjisë, Dializës etj.
Spitalet
Aktualisht Spitali i Durrësit është i vetmi që financohet nga skema e sigurimeve shëndetësore. Sipas ISKSH-së, puna e kryer në këtë spital është shumë më e mirë në mjaft tregues krahasuar me spitalet e tjera. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo theksoi se pjesë e kësaj skeme do të bëhen edhe 12 spitale të tjerë në të gjithë vendin, të cilët do të përcaktohen më pas nga Ministria e Shëndetësisë. Ministrja e Shëndetësisë, premtoi dorëzimin e një plan – veprimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, brenda pak ditëve si edhe vuri theksin edhe një herë në ekuilibrin e duhur mes autonomisë dhe përgjegjshmërisë për kalimin drejt një modeli më të decentralizuar, i cili do e nxjerrë sistemin shëndetësor nga kriza në të cilën ndodhet.

Box

Objektivat e Spitalit të Durrësit për 2009-n

Rikonceptimi i kontratës për vitin 2009 me elementë te rinj si: kontrolli dhe vlerësimi i cilësisë, monitorimi i aktivitetit spitalor, si dhe krijimi e funksionimi i një komisioni arbitrazhi.
Implementimin e elementeve të Partneritetit Publik dhe Privat në shërbimet mbështetëse, për rritjen e cilësisë.
Llogaritja e plotë e kostos në spitalin e Durrësit, sipas sistemit (DRG) për diagnozë, në të gjitha shërbimet e spitalit.
Zbatimi i protokolleve të mjekimit (të miratuara nga Këshilli shkencor) në spital.
Krijimin e një data- base për pacientët e trajtuar në këtë spital.
Informatizimi i plotë i spitalit
Mënyrë e re e financimit të spitalit sipas treguesve faktikë të kostos.
Implementimin e elementit të bashkëpagesës në spital si faktor për rritjen e të ardhurave dhe cilësisë së shërbimit
Implementimi i shërbimeve të reja si ato të Onkologjisë, Dializës etj.
Implementimin e shërbimeve ekstra në spital kundrejt tarifave shtesë: dhome speciale, trajtim shtesë, etj.

Peticioni, gjashtë kërkesat e invalidëve që i janë paraqitur kryeministrit

Moszbatimi i kërkesave, invalidët më 10 tetor në protesta masive

Kreu i Shoqatës: “Këtë herë do të hyjmë në grevë urie pa afat”

Jonida Tashi

Invalidët do të nisin protesta masive që do të pasohen me grevë urie pa afat nëse qeveria nuk do t’i kthejë një përgjigje zyrtare për problemet e tyre. Kreu i Shoqatës së Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë të Shqipërisë, Ali Plaka bën të ditur se nëse kërkesat e paraqitura nuk do të plotësohen brenda datës 10 tetor, invalidët do të fillojnë protestat po në këtë datë. Sipas tij, qeveria jo vetëm që nuk ka mbajtur asnjë premtim për invalidët, por edhe i ka mashtruar.
Peticioni
Në një peticion të dërguar Ministrisë së Punës dhe kryeministrit të vendit Sali Berisha që në datën 10 të muajit të kaluar, kryesia e Shoqatës së Invalidëve ka parashtruar gjashtë kërkesat më emergjentë të kësaj kategorie. Rritja e paketës higjiene-sanitare në masën 30 mijë lek në muaj është kërkesa e parë e invalidëve. Ndërkohë që një problem tjetër po aq shqetësues për këtë pjesë të shoqërisë është edhe njohja e siguracionit të shërbyesit si vjetërsi pune. Kërkesat e tjera të paraqitura në peticionin e dërguar dy dikastereve të shtetit kanë të bëjnë me: Rritjen e karburantit në masën 80 litra në muaj për paraplegjikët e aksidentuar me dëmtime në shtyllën kurrizore; Çështjen e strehimit, që nënkupton sigurimin e banesave falas nga qeveria, siç ndodh në vendet europiane; Rritjen e përfitimit të kujdestarisë sipas rrogës minimale; Dhe së fundi, dhënien e një godine në bregdetin e Durrësit apo Shëngjinit për Paraplegjikët.
Moszbatimi
Megjithëse kërkesat e mësipërme kanë 2 vjet që i paraqiten vazhdimisht qeverisë, sërish ato kanë mbetur pezull. Moszbatimi i këtyre kërkesave gjatë kësaj kohe ka bërë që invalidët në të gjithë vendin të hidhen në protesta masive. Me shpresën se peticioni i dërguar në Ministrinë e Punës do të mbërrijë në dorën e kreut të ri të këtij dikasteri Anastas Duros, nga i cili presin një përgjigje pozitive, invalidët ndjehen shumë të indinjuar nga përgjigjja e qeverisë. Përveç fatkeqësisë që i rëndon mbi supe, moszbatimi i këtyre kërkesave, ja vështirëson edhe më shumë jetesën invalidëve. I vetmi person qeveritar, që i ka mirëpritur kërkesat e tyre ka qenë këshilltari i kryeministrit, Ylli Asllani. Ky i fundit, pas protestës paqësore të bërë nga invalidët disa muaj më parë, u ka premtuar se kërkesat e tyre do të merrnin shumë shpjet një përgjigje pozitive dhe se ishin plotësisht të realizueshme. Në pritje prej tre muajsh të kësaj përgjigje, që deri tani nuk u është kthyer, invalidët kanë vendosur të mos presin më, por të ndërmarrin hapa të tjerë për zgjidhjen e këtij problemi.

Kërkesat e paraqitura
Rritja e paketës higjiene-sanitare në masën 30 mijë lek në muaj
Njohja e siguracionit të shërbyesit si vjetërsi pune
Rritja e karburantit në masën 80 litra në muaj për paraplegjikët e aksidentuar me dëmtime në shtyllën kurrizore
Çështja e strehimit, që nënkupton sigurimin e banesave falas nga qeveria, siç ndodh në vendet europiane
Rritja e përfitimit të kujdestarisë sipas rrogës minimale
Dhënia e një godine në bregdetin e Durrësit apo Shëngjinit për Paraplegjikët

Poliklinika nr. 3, pacientët nuk marrin shërbimet shëndetësore

Pacientët në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3, detyrohen të kryejnë vizitat në spitalet e tjerë, për shkak të mungesës së aparaturave dhe dhomave të vizitave. Kjo poliklinikë është futur në proces restaurimi që prej një viti dhe aktualisht punohet në kushte të vështira. Mjekë me specialitete të ndryshme kryejnë vizitat në të njëjtën dhomë. Ndërsa aparaturat nuk punojnë, pasi nuk mundësi instalimi në të gjitha dhomat e poliklinikës. Për shkak të krijimit të kësaj situate, pacientët e kanë braktisur poliklinikën e lagjes në të cilën mund të vizitohen dhe shkojnë në poliklinikat e tjera apo në QSUT. Drejtoria e Poliklinikës bën të ditur se nuk kanë mundësi të tjera që qytetarëve t’iu ofrohet një mundësi më e mirë shërbimi. Sipas tyre, kjo periudhë do të zgjasë deri në momentin e përfundimit të punimeve. Aktualisht gjysma e godinës është bllokuar nga kryerja e punimeve, ndërsa pjesa tjetër është vënë në shërbim të pacientëve.

4 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›