Kapet i dënuari nga drejtësia italiane për trafik droge
FIER - Policia e Fierit ka vendosur në pranga një të shumëkërkuar për drogë. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se Sokol Genica akuzohet për veprën penale të trafikimit të drogës dhe kërkohej nga autoritetet italiane. Sipas policisë vendore Genica është dënuar nga drejtësia italiane me 25 vjet burg për trafik droge. Ndërkohë nëpërmjet komunikimit të policisë shqiptare me atë italiane është bërë i mundur gjetja dhe më pas arrestimi i Sokol Genicës. Tashmë i shumëkërkuari është dërguar në mjediset e komisariatit të Policisë së Fierit dhe ndodhet në pritje të mbërritjes së dosjes dhe vendimit të gjykatës italiane. Më pas do të kryhen procedurat e dërgimit në vendin ku ka kryer krimin dhe është dënuar.
Asgjësohet Cannabis në mes të pyllit, zhduken kultivuesit
KRUJË – Ndonëse janë gjetur me dhjetëra rrënjë Cannabis Sativa nga policia, nuk ka asnjë person të ndaluar apo prangosur. Në kuadër të aksioneve kundër bimëve narkotike, policia e Durrësit ka evidentuar një parcelë të mbjellë me hashash në një fshat të këtij rrethi. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se parcela me bimë narkotike të tipit Cannabis Sativa është ‘zbuluar’ në fshatin Mafsheq, të komunës Cudhi Krujë.
“Ajo ka qenë në mes të një pylli dhe rrënjët e mbjella janë shkulur dhe më pas asgjësuar. Ndërkohë që disa prej tyre, janë marrë për t’u analizuar në laboratorin e policisë”- thanë të njëjtat burime. Edhe kësaj radhe nuk ka autor për këtë vepër penale.
Përmbyten rrugët e Durrësit me 40 minuta shi
DURRËS - Reshjet e rëna gjatë ditës së djeshme kanë shkaktuar probleme në qytetin e Durrësit, sidomos në zonat periferike dhe në kryqëzimet kryesore në këtë qytet, ku ka pasur përmbytje të rrugëve. Si pasojë ka pasur vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe në lëvizjen e kalimtarëve. Më problematike ka qenë rruga në hyrje të qytetit bregdetar, pranë stacionit hekurudhor, në shëtitoren 'Taulantia' dhe në lagjet periferike të qytetit, ku sistemi i amortizuar i kanalizimeve nuk ka mundur të përballojë sasinë e madhe të ujërave sipërfaqësore të krijuara nga reshjet e dendura. Reshjet zgjatën rreth 40 minuta, kohë që ka mjaftuar për të shkaktuar probleme në lëvizjen e automjeteve dhe kalimtarëve që u drejtoheshin shkollave dhe qendrave të punës.
Avokatët kthehen në detyrë, nisin hetimet për rastin “Aliko”
GJIROKASTËR - Pas një bojkoti gati një mujor të të gjitha seancave gjyqësore, Dhoma e Avokatëve në Gjirokastër ka vendosur rifillimin normal të aktivitetit. Vendimi është marrë dje, gjatë një takimi të përfaqësuesve, ku është përcaktuar dita e hënë si dita e fillimit normal të punës së tyre. Sipas kryetarit të kësaj dhome, Arjan Sotiri, pas kontakteve të marra me drejtorinë e policisë së qarkut Gjirokastër është konfirmuar fakti se janë gjetur autorët e arrestimit të padrejtë të avokatit Bernard Aliko, në kohën që policia ishte në kërkim të një personi që i fshihej drejtësisë. Bojkoti i avokatëve nisi në datën 8 shtator pas arrestimit të njërit prej anëtarëve të saj(Alikos) pa asnjë arsye ligjore. Pas arrestimit, Aliko ka bërë padi penale pranë Prokurorisë dhe kërkesa e avokatëve ishte shkarkimi nga detyra i drejtorit të policisë, Arben Hysenaj. Mësohet se autorët e ndalimit të avokatit dhe personat që kanë urdhëruar këtë arrestim tashmë do të përballen me drejtësinë.
Një grup të rinjsh vandalë shkatërrojnë ndriçimin e qytetit
POGRADEC – Katër djem nga qyteti i Korçës, i janë sulur shtyllave të ndriçimit të rrugëve kryesore dhe kanë shkatërruar katër prej tyre, në një gjendje “ekstaze”. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr 2 përpara Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve në rrugën “Naim Frashëri”. Dy 19-vjeçarët Albi Belli dhe Mirantjen Karafili, si dhe Klajdi Molla 20 vjeç dhe Rinholt Zeneli, 21 vjeç, që të katër banues në lagjen nr 2 të qytetit buzë liqenit, janë ndaluar mëngjesin e djeshëm pasi kishin kaluar bashkë orët e mbrëmjes së enjte, në kohën kur kishte kaluar edhe mesnata, e kanë parë “të udhës”, që ta mbyllin natën argëtuese duke iu sulur shtyllave të korrentit. Me mjete të forta, ata kanë arritur që të katërt të shkatërrojnë katër prej shtyllave të korrentit që ndriçojnë rrugën “Naim Frashëri”. Policia e Korçës, pasi u sinjalizua nga qytetarë të zonës, i identifikoi dhe konfirmoi arrestimin e katër të dyshuarve. Ata do të përballen tani me akuzën e “dëmtimit të pronës me dashje, kryer në bashkëpunim”.
4 Tetor 2008