E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada, përleshje mes policisë dhe banorëve

SHEMBJET/ Banorë të zonës së Thumanës kanë kundërshtuar shembjen e banesave të tyre pa marrë dëmshpërblimet


Konflikti ka vijuar përgjatë gjithë ditës, ndërsa shumë prej banorëve janë shtrirë para fadromave


KRUJË - Banorët janë përleshur me policinë gjatë ditës së premte në zonën e Thumanës, ndërsa nuk kanë pranuar të lëshojnë banesat e tyre, të piketuara për t'u shembur me qëllim ndërtimin e autostradës Thumanë - Milot, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. Burra e gra janë konfliktuar me policinë, që mbështesnin Inspektoriatin Ndërtimor.


Pronarët e ndërtesave që janë piketuar për t'u shembur, nuk janë dakord me dëmshpërblimet dhe e kanë dërguar çështjen në gjykate, pasi sipas tyre shpërblimi është i vogël krahasuar me çmimet e tregut dhe pas shembjeve ata nuk mund të blejnë banesa me shumën e ofruar.


Për më tepër, sipas tyre, as dëmshpërblimi i vendosur nga qeveria nuk u është dhënë çka ka bërë që pas prishjes së banesave, ata të mbeten në qiell të hapur.


Aksioni shtetëror për prishjen e banesave ne këtë zonë është drejtuar direkt nga Gjergj Bojaxhi, drejtori i sapoemëruar në krye të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit. Gjate aksionit janë shkatërruar 7 ndërtesa, një pjesë e të cilave kishin ende brenda tyre orenditë shtëpiake.


Pronarët e tyre shpresonin të pengonin shkatërrimin, por pas përplasjes me policinë disa prej tyre janë shoqëruar në komisariat.
Banorët e zonës kanë deklaruar se deri më sot asnjë dëmshpërblim nuk është dhënë kundrejt prishjes së banesave.


Nga kjo gjendje shume prej tyre janë shtrirë para fadromave duke kundërshtuar me cdo kusht shembjet. Ata kanë thënë që malli duhet t'u dëmshpërblehet më parë dhe më pas mund t'i shembnin.


Për zgjerimin e superstradës Fushë-Krujë-Milot janë akorduar rreth 50 milione euro. Ndërtimi i rrugës parashikon prishjen e 7 banesave në rrethrrotullimin e Mamurrasit dhe 12 të tjerave në Thumanë.


Prishja e shtëpive të banimit në Thumanë kanë vazhduar deri në orët e vona të natës. Numri i banesave të prishura në këtë fshat kanë arritur në 12 të tilla. Ndërkohë që 70 banorë që ende nuk kanë marrë dëmshpërblimin, sipas tyre, kanë mbetur të pastrehë.


Pas përplasjes mes banorëve, policisë së Krujës e forcave speciale, është thyer një xham i pjesës së pasme të fadromës së inspektoratit ndërtimor. Gjithsesi shembjet kanë vijuar.


Në orët e vona të pasdites, deputetja e PS-së Rudina Seseri, ka parë nga afër situatën e krijuar pas shembjes së banesave. Ajo ka ngritur akuza ndaj qeverisë, duke u shprehur se Inspektorati Ndërtimor duhet të priste vendimin e gjykatës dhe pastaj të vepronte.


Seseri tha se banorëve duhet t'iu ishin siguruar të paktën çadra për banim të përkohshëm. "Me dëmshpërblimet që u janë premtuar banorëve, ata nuk mund të marrin as truallin e shtëpisë, jo më të ndërtojnë mbi të", deklaroi Seseri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›