Kolaudimi i makines procedurat qe ndiqen ne piken e kontrollit
Kolaudimi teknik i automjeteve, përveç çmimeve, tashmë ka ndryshuar edhe procedurat se si duhet të kontrollohet një mjet motorik. Qendra e re e kolaudimit ka bërë publike edhe procedurat që duhet të ndjekin të gjithë drejtuesit e automjeteve gjatë procesit të kontrollit që do t’i bëjnë mjetit të tyre. Fillimisht, drejtuesit e automjeteve që kanë datën e kolaudimit duhet të paraqiten në zyrën e marrjes së vërtetimit, i cili konfirmon që shoferi nuk ka detyrime ndaj shtetit, si gjoba apo taksa të tjera të papaguara. Më pas, te recepsioni i shërbimit hidhen në kompjuter të gjitha të dhënat e makinës dhe dokumentacioni. Së bashku me çelësat e makinës, dokumentacioni futet në një zarf, të cilin e merr inspektori dhe nis procesin e kolaudimit. Për këtë lloj shërbimi të ri tani janë gjithsej tre stacione testimi. Në stacionin e parë, kompjuteri mat nivelin e ndotjes, gazrat, tymin, dritat, pasqyrat dhe sinjalet. Të dhënat kalojnë automatikisht në kompjuterin e dytë, ku kontrollohet nëse shasia e regjistruar e automjetit i korrespondon asaj origjinale, si dhe kontrollohen konvergjencat e aksit të parë dhe të dytë, amortizatorët dhe frenat. Kompjuteri i tretë regjistron defektet vizuale, pjesa e poshtme e automjetit. Ky kompjuter i kalon të dhënat në sistem dhe printohet certifikata, të cilën e merr në dorë klienti (drejtuesi i automjetit). Nëse testi është i pakalueshëm, të jepen këshillat ku tregohen defektet që duhet t’i rregullosh për provën e dytë.
Rikontrolli i automjeteve
Rikontrolli i automjeteve brenda periudhës njëmujore pas datës së kontrollit të parë parashikon vetëm kontrollin e zërave në të cilat automjeti është konstatuar me probleme. Tarifat e rikontrollit janë të publikuara në çdo qendër kontrolli teknik. Tejkalimi i afatit njëmujor parashikon kontroll të plotë për automjetin dhe pagesë të plotë të tarifës së kontrollit teknik.
Tarifat
Tarifat monetare të pagesës për bërjen e kontrollit teknik të automjete, të njohur si kolaudimi, ka ndryshuar pas privatizimit të këtij shërbimi. Për të gjitha llojet e mjeteve motorike tani paguhet në një formë tjetër, pasi edhe mënyra e kolaudimit të tyre dhe shërbimet që bëhen janë të ndryshme. Tarifat e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, si dhe rregullat dhe procedurat përkatëse janë të miratuara nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe janë të afishuara në të gjitha qendrat e kontrollit teknik. Këto janë tarifa fikse dhe të panegociueshme. Mos paguani asnjë shumë tjetër përveç këtyre tarifave të parashikuara. Çdo shkelje e këtij rregulli konsiderohet vepër penale dhe do të raportohet menjëherë pranë autoriteteve përkatëse. Për të denoncuar çdo tentative për abuzim “SGS Automotive Albania” ka vënë në dispozicion numrin: 067 27 70 777. Nga data 6 shtator kontrolli i detyrueshëm teknik i automjeteve ka kaluar si një shërbim privat, por i njohur nga shteti. Kjo gjë është e bazuar në Direktivën e Bashkimit Europian “2009/40/EC” dhe Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Tabelat e procedurave////////////////////////////////
Dokumentacioni & Procedurat
• Dokumentacioni i domosdoshëm që duhet të ketë përdoruesi i mjetit rrugor kur paraqitet për kontroll teknik:
1- Leja e qarkullimit të automjetit
2- Certifikata e vjetër e kontrollit teknik
3- Vërtetimi nga Zyra e Taksave e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor që vërteton:
a) Pagesën e taksave vjetore të regjistrimit dhe të qarkullimit
b) Pagesën e gjobave për paraqitje me vonesë në kontroll teknik (nëse ka të tilla)
4- Çelësat e automjetit
• Procedura që duhet të ndjekë përdoruesi i mjetit rrugor në momentin që paraqitet në ambientet e qendrave të kontrollit teknik:
1- Me setin e dokumentacionit të mësipërm paraqitet në zyrën e pritjes
2- Recepsionisti, punonjës i “SGS Automotive Albania”, kryen procedurat e regjistrimit të mjetit në sistemin kompjuterik dhe lëshon faturën përkatëse dhe kuponin tatimor.
3- Përdoruesi i mjetit rrugor nënshkruan deklaratën mbi gjendjen teknike të automjetit të tij.
4- Përdoruesi i mjetit rrugor dorëzon çelësat e automjetit.
5- Përdoruesi i mjetit rrugor kalon në ambientet e pritjes, nga ku mund të vëzhgojë mjetin e tij që kalon në fazat e ndryshme të testimit
6- Pas përfundimit të testimit, përdoruesi i mjetit rrugor kalon në zyrën e informacionit ku merr në dorëzim:
a) Në rast se mjeti kalon me sukses testimin, çelësin e automjetit dhe certifikatën e vlefshme të kontrollit teknik.
b) Në rast se mjeti nuk e kalon testimin, çelësin e automjetit, certifikatën me shënimin “NGEL” dhe Raportin e Kontrollit Teknik ku shënohen zërat në të cilat mjeti ka nevojë për riparim.
7- Kontrollori teknik jep sqarimet e nevojshme për arsyet e ngeljes së mjetit në procesin e testimit.
8- Të dhënat e raportit teknik do të jenë të vlefshme për përdoruesin e mjetit, për të riparuar mjetin e tij, përpara se të paraqitet për rikontroll në qendrën e kontrollit teknik.
Shkurt
Procedurat fillestare kur blen një makinë
Nëse blen një makinë, në momentin e kalimit të pikës doganore jepet një vërtetim kalim kufiri dhe nisin procedurat për pagesën e doganës. Por, për të vazhduar procedurat më tej, nuk mjafton vetëm kaq, por duhet edhe certifikata e pronësisë së mjetit, e cila paraqitet te noteri në momentin që kryhet akti i shitblerjes. Më pas akti i shitblerjes regjistrohet në Drejtorinë e Shërbimit dhe Transportit Rrugor, së bashku me certifikatën.
Aty vendoset targa, merret leja e qarkullimit, si dhe kryhet pagesa e taksës për shitjen e makinës, e cila kur është prodhim i vitit të fundit është zero, ndërsa kur është e rishitur llogaritet sipas një formule. Nga ky moment drejtuesi i automjetit bëhet pronari ligjor i makinës. Në këtë zyrë bëhet edhe testi për marrjen e patentës. Testi teorik, nuk plotësohet më me laps e letër, por kompjuteri zgjedh vetë pyetjet dhe aplikuesi vetëm klikon përgjigjen që mund të jetë e saktë. Gjithçka është e informatizuar, verdiktin e jep kompjuteri.
Sa të kushton të mbash një makinë
Shqiptareve u kushton vërtet shtrenjtë të mbajnë një makinë. Shpenzimet e familjeve për mirëmbajtje automjetesh, tejkalojnë ato për shëndetësinë, apo për ushqim. INSTAT-i konstaton se në 3-mujorin e dytë të këtij viti, treguesi i shpenzimeve për riparim makinash dhe motoçikletash ka pësuar një rritje prej 12.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, rritje kjo e cila nuk është vërejtur në sektorë te tjerë. E nëse shpenzimet vjetore për shëndetësi janë minimale, pasi shqiptaret nuk kryejnë vizita për të kontrolluar shëndetin e tyre, por e bëjnë ketë vetëm kur sëmuren, shpenzimet për makinat zënë një vend të konsiderueshëm. Kjo për shkak të infrastrukturës së dobët, cilësisë së produkteve, si karburantet, vajrat por edhe për shkak të çmimeve të kripura të mekanikëve, që në jo pak raste nuk të eliminojnë as defektet. Por këto shpenzime parashikohet të rriten edhe më shumë, pasi taksa e shitjes e miratuar pak kohë më parë nga qeveria është një detyrim i cili do të rrisë edhe me tej kostot.