Shalsi: Basha fitoi me votat e Saliut dhe jo qytetarëve
Pas deklaratës së kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka reaguar dje deputeti i PS-së, Eduart Shalsi. Ky i fundit theksoi se KQZ-ja është institucioni që vodhi votat e qytetarëve. “Qytetarët folën, votat e tyre u numëruan në sy të miliona shqiptarëve dhe Saliu humbi. Ndërsa votat që nxorri nga xhepi KQZ-ja e Saliut, për të përmbysur fitoren tonë në Tiranë, nuk janë zëri i qytetarëve po zëri i Saliut. Boll më me këtë teatër të shpifur dhe Luli i Saliut le t’i marrë mbrapsht t’ia çojë babit politik te shtëpia ato vota që dalin më shumë se votues, sepse mandati i opozitës në Tiranë nuk merret me vota më shumë se votues! Sa për dhunën, vetëm ky kanakar i familjes Berisha s’ka gojë të flasë se nuk e ka harruar asnjë shqiptar se kush i vrau katër të pafajshëm më 21 janar”,- tha dje Shalsi.