E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji Zgjedhor: PAA mund të vazhdojë garën

Kolegji Zgjedhor vendosi dje që Partia Agrare Ambientaliste të vazhdojë garën për zgjedhjet e 28 qershorit. Anëtarët e trupit gjykues morën në shqyrtim kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e kësaj partie nga gara, pasi nuk ka plotësuar kriterin që 30% e listës së kandidatëve të jenë të gjinisë femërore në Qarkun e Shkodrës dhe të Fierit. Me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, KQZ-ja në bashkëpunim me kompaninë që është përzgjedhur për të prodhuar fletët e votimit mund të nisë sa më parë nga procesi. Bashkë me ankimimin për shkelje të ligjit nga ana e PAA dhe KQZ, PS-ja kërkoi ndalimin e procesit të prodhimit të fletëve deri në marrjen e vendimit të Kolegjit Zgjedhor për partinë e Lufter Xhuivelit. Palët u ballafaquan në seancë para Kolegjit Zgjedhor. Avokati i Partisë Socialiste akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për marrje të një vendimi që është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor e konkretisht me nenin 56 dhe 67 të tij. Sipas tij, KQZ-ja ka pranuar të miratojë një listë e cila në Qarkun Fier dhe Shkodër nuk përmbushte kriterin që 30% e listës të jenë femra. Ndërsa përfaqësuesja juridike e KQZ-së, Dëshira Pasko, paraqiti para trupit gjykues të gjithë ecurinë e procesit të ndjekur nga KQZ për listat shumëemërore të kandidatëve të PAA-së. Ajo u shpreh se lista e PAA kaloi dy herë për shqyrtim, në shqyrtimin e parë u vu re se lista kishte probleme me dokumentacionin jo vetëm në këto dy qarqe, por edhe qarqe të tjera. Pasko vërejti se kur është bërë shqyrtimi i dytë dhe miratimi përfundimtar i listës të gjitha vërejtjet e KQZ ishin pasqyruar. Por avokati i PS-së vërejti se në miratimin e listës përfundimtare nuk ishin plotësuar ende kriteret për Qarkun Fier dhe Shkodër dhe se në zyrën e protokollit të KQZ nuk gjen asnjë dokument apo shkresë të PAA për të rregulluar listën. Pasko tha se në të dyja qarqet është përmbushur kriteri i 30%, pasi janë tërhequr dy kandidatë. Çka do të thotë se në Qarkun e Shkodrës, PAA ka paraqitur 10 emra për kandidatë nga 11 që parashikon qarku dhe tërheqja e një kandidati plotësoi kriterin. E njëjta rrugë është ndjekur edhe në Qarkun e Fierit. Sipas avokatit të PS-së, ky ndryshim është bërë pas miratimit të listës përfundimtare ndërsa nuk ka asnjë shkresë që vërteton këto dy tërheqje. Njëkohësisht, Kolegji Zgjedhor mori në shqyrtim dje ankimimin e PS-së që Partia Demokristiane të mos konsiderohet si parti e opozitës në procesin e hedhjes së shortit për anëtarin e tretë dhe të katërt të GNV-ve. Sipas këtij vendimi, PDK-ja do të konsiderohet parti e mazhorancës. Ndërkohë, KQZ-ja vijoi dje aktivitetin e saj. Anëtarët miratuan fondin që u shpërndahet partive politike për zgjedhjet, si dhe ndoqën nga afër procesin e instalimit të kamerave dhe të ekraneve të mëdha në qendrat e numërimit që do të ngrihen në të gjithë Shqipërinë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›