Veliaj: Ekipi ynë, në shërbim të njerëzve
Grupimi G99 prezantoi dje në Vlorë kandidatët për deputetë të kësaj partie. Kreu i lëvizjes G99, Erion Veliaj, bëri kontrastin e figurave që kjo lëvizje ka zgjedhur si kandidatë, me ata të partive të tjera, duke thënë se ekipi i G99 kishte të gjitha arsyet për t‘u ndjerë krenar në zgjedhjet e tij. "Kur shoh të gjithë ata kryetarë partish të sikletosur dhe të turpëruar që vënë kandidatë në Vlorë ata që tashmë kanë dështuar; vënë kandidatë ata njerëz, merita e vetme e të cilëve janë vetëm xhepat plot dhe që shpesh pikërisht ata kryetarë nuk i duan as në tribuna; atëherë ndihem me shumë fat që kam në krah njerëz të papërlyer, njerëz të pastër, pa asnjë bagazh dhe kaq të aftë", tha Veliaj në një takim elektoral në Vlorë, ku prezantoi për qarkun kandidatët e G99-ës. Veliaj shtoi se pasioni dhe energjia ishin të vetmet armë të G99-ës në këtë betejë. "Ne kurrë nuk do të fitojmë me thasë me miell, me premtime për t‘i bërë njerëzit doganierë apo me ‘të fortë‘, tha Veliaj, por me njerëz të dedikuar në shërbim të publikut".