E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: Do i ndërtojmë institucionet si Bashkinë e Tiranës

Nënkryetari i bashkisë së kryeqytetit sqaron arsyet pse garon në zgjedhjet e 28 qershorit dhe vizionin e tij për politikën.

Zoti Shalsi, pse vendosët të garoni në zgjedhjet e 28 qershorit nën siglën e Partisë Socialiste?

Unë prej dy vjetësh jam anëtar i PS-së dhe pjesë aktive e veprimtarisë së kësaj partie, që tashmë ka një lidership të ri dhe një ekip të ri me ide të reja, që harmonizon bindshëm prurjet e reja me background të pasur me njerëzit e sprovuar dhe me eksperiencë në parti. Kam vendosur të jem pjesë e këtij ekipi, sepse unë besoj që Shqipëria, e cila ka ecur kuturu për shumë kohë, ka nevojë, meriton dhe duhet të ketë një të ardhme shumë më të mirë se e kaluara e lodhshme dhe e tejzgjatur e tranzicionit. Kemi provuar se çfarë kemi qenë në gjendje të bëjmë së bashku me Edi Ramën për Tiranën, dhe jam plot besim se mund të ndërtojmë institucione që të mishërojnë vlerat që mbart Bashkia e Tiranës, institucione efektive dhe transparente, të cilat do të arrijnë të forcojnë rregullin, ligjin dhe do të mund të hartojnë politika dhe të ofrojnë zgjidhje për problemet dhe sfidat e shumta me të cilat përballemi.

Zoti Shalsi, ju keni marrë pjesë aktivisht në fushatën elektorale për zgjedhjet e 18 shkurtit 2007. Në atë kohë, si të themi, bëtë fushatë për zotin Rama dhe rezultuat i suksesshëm. Si ndjeheni tani që do bëni fushatë për emrin tuaj?

Në fakt nuk jam duke bërë fushatë për emrin tim, por për ekipin dhe programin e PS-së. E veçanta e këtyre zgjedhjeve është se njerëzit kësaj here do të duhet të gjykojnë dhe vendosin mbi bazën e programeve dhe ekipeve, dhe jo si më parë, ku individët që aspironin dhe u bënë deputetë, premtonin gjëra krejtësisht pa lidhje me pozicionin që kërkonin, dhe duke mos pasur çfarë t‘u thoshin njerëzve që i kishin votuar, ndërronin sa herë vinin zgjedhjet zonat elektorale. Më duhet t‘ju sqaroj që nuk shkova unë te politika, por më dërguan njerëzit në politikë dhe unë kam detyrimin dhe përgjegjësinë të justifikoj dhe t‘i siguroj se do t‘i përfaqësoj denjësisht.

Sa mendoni se do t‘ju ndihmojë puna juaj në bashki për të menaxhuar tanimë mandatin e mundshëm të një deputeti?

Vitet e punës në bashki kanë qenë vite të jashtëzakonshme eksperience dhe rritjeje profesionale. Kam pasur privilegjin të jem në krah të Edi Ramës dhe një ekipi që e shndërroi Tiranën nga një qytet i degraduar, në një metropol që do t‘i ngjasojë gjithnjë e më tepër një kryeqyteti modern evropian. Të gjitha problemet janë vendore në njëfarë mënyre, dhe njohja me detaje e problematikës lokale më dha një mundësi të kuptoja jo vetëm se me çfarë sfidash reale përballemi, por edhe me dobësitë e sistemit të qeverisjes qendrore, që për 18 vjet nuk ka qenë në gjendje t‘i zgjidhë problemet dhe në shumë raste ka qenë vetë problemi. Gjithçka ne jemi penguar ta bëjmë si rezultat i politikave qeveritare miope dhe kaotike. Tashmë, me njohuritë dhe përvojën e akumuluar, do të kemi mundësinë ta ribëjmë, rikorrigjojmë dhe të hedhim themele të shëndosha drejt një zhvillimi të qëndrueshëm shumëplanësh. Njoh me imtësi problemet e kryeqytetit dhe falë udhëtimeve nëpër Shqipëri, mund të them me bindje se jam ndërgjegjësuar edhe më shumë se përse shumë gjëra në këtë vend ose nuk janë bërë, ose janë bërë gabim.

Çfarë mund t‘i ofroni ju qeverisjes së nesërme dhe performancës së partisë suaj?

E konsideroj shumë të vlefshme eksperiencën time përpara se të përfshihesha në shërbimin publik dhe do të doja të nënvizoja në mënyrë të veçantë atë bankare, e cila më kultivoi shpirtin për t‘u shërbyer klientëve. Gjatë punës në bashki, ky shpirt u rrit akoma edhe më shumë, por tashmë duke u shërbyer qytetarëve të Tiranës. Kam punuar dhe vazhdoj të punoj duke besuar në vlera të tilla si integriteti, puna në grup, respekti dhe ndjenja e përulësisë përpara qytetarëve, përkushtimi dhe besnikëria ndaj njerëzve, përgjegjshmëria, toleranca dhe mirëkuptimi, sinqeriteti, si dhe angazhimi i thellë për përgjegjësitë e marra që kërkon edhe sakrifica.

Përtej pozicionimeve të fushatës, nëse do t‘u duhej të vlerësonit

njërin prej kandidatëve kundërshtarë në qarkun tuaj, kush do të ishte ai?

Nëse do të më pyesje shumë kohë më parë, do ta kisha shumë të lehtë t‘i vlerësoja pozitivisht disa prej tyre, që i kam njohur përpara se të përfshiheshin në politikë dhe për të cilët nuk do të kisha asnjë rezervë ta bëja sërish, në rast se nuk do të konstatoja, natyrisht me shumë keqardhje, se pesha e politikës së vjetër i ka deformuar aq shumë, sa vështirë se kanë ndonjë ngjashmëri me ata që ishin përpara se t‘i futeshin kësaj rruge. Disa prej tyre janë një shembull që ia vlen të tregohet se si nuk duhet të jenë ata që merren me politikë.

CV

Eduard Shalsi

Diplomuar për Biologji-Kimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në vitin 1990

Ka punuar në bankë për një periudhë rreth 8-vjeçare, në pozicione të ndryshme

Ka qenë drejtor i përgjithshëm i kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG

Që nga viti 2004 është funksionar i lartë i Bashkisë së Tiranës, drejtor kabineti dhe më pas nënkryetar



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›