E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Kundërshtarët eksperimentojnë me "politikën e re"

Drejtori i kabinetit të Kryeministrit, Arben Imami, tregon për arsyet pse PD-ja do të fitojë shumicën e mandateve në kryeqytet. "Për sa u përket listave, 140 kandidatët e Partisë Demokratike hyjnë në këtë garë si të barabartë, hyjnë me bindjen se do të fitojmë dhe pozicionimi në listë është më pak i rëndësishmi", tha Imami, i cili është i 14-ti në listën e kryeqytetit.

Zoti Imami, pse vendosët të garoni këtë herë në zgjedhjet e 28 qershorit për Partinë Demokratike?

Unë jam prej katër vitesh drejtor i kabinetit të Kryeministrit. Kam kandiduar më parë për Partinë Demokratike dhe kam kontributin tim modest në këtë parti. Për të gjitha këto, pyetja nuk ka sens.

Partia Demokratike u themelua për të qenë dhe mbetet partia e madhe e lirisë. Ajo themeloi pluralizmin politik në këtë vend, ajo themeloi liritë politike dhe ekonomike të këtij vendi, ajo i dha qasjen integruese në të gjitha organizmat euroatlantike. Partia Demokratike vazhdon të ketë si thesarin e saj më të madh zgjerimin e hapësirës së lirisë në këtë vend.

Jeni pozicionuar i 14-ti në listën e PD-së për Qarkun e Tiranës, që mund të cilësohet ndryshe si zona e nxehtë që vendos në dyshim prezencën tuaj në Parlamentin e ardhshëm. Pse emri juaj u vendos i 14-ti?

Së pari, zona e nxehtë është shumë larg asaj që mendoni ju. Ne do të fitojmë bindshëm në Qarkun e Tiranës, ne do të fitojmë në të gjithë vendin. Për sa u përket listave, 140 kandidatët e Partisë Demokratike hyjnë në këtë garë si të barabartë, hyjnë me bindjen se do të fitojmë dhe pozicionimi në listë është më pak i rëndësishëm. Ajo që duhet thënë është se Partia Demokratike ka listën më të mirë, ka një listë përfaqësuese, gjithëpërfshirëse, një listë që harmonizon breza, profesione, kualitete, grupe interesi etj. Ne kemi bindjen se ky grup parlamentarësh që do të nxjerrim, do t‘i japë vendit të gjitha reformat e nevojshme ligjore, për ta bërë Shqipërinë një vend evropian.

Çfarë mund t‘i ofroni ju qeverisjes së nesërme dhe performancës së partisë suaj?

Ne do të vazhdojmë në rrugën e moderacionit që kemi ndjekur edhe këto katër vite. Ne do të vazhdojmë të krijojmë kushte, qetësi, siguri, garanci, që të gjithë qytetarët të cilët duan të punojnë dhe jetojnë të lirë në këtë vend, ta bëjnë atë pa asnjë pengesë. Ne do të ofrojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve, punë, zhvillim, mirëqenie dhe do të luftojmë me çdo kusht varfërinë. Kjo është qasja jonë, ky është angazhimi ynë.

Në këndvështrimin tuaj, cilat janë pesë disavantazhet e kampit kundërshtar në këto zgjedhje?

Pyetja normale do të ishte cilat janë avantazhet tona. Gjithsesi, së pari ne kemi një model të testuar nga shqiptarët në këto katër vite, një model i suksesshëm dhe me produkte të provuara nga të gjithë. Kundërshtarët tanë kanë një model si ai i Bashkisë së Tiranës, inefiçent, ekstra-institucional, abuziv. Së dyti, ne nuk kemi ndërtuar një koalicion të madh, i cili është i bashkuar. Ndërsa e majta vjen në këto zgjedhje e përçarë. Aty ish-kryetari godet legjitimitetin e kryetarit, ish-kryeministri nuk pranon pretendentin për Kryeministër etj. Së treti, kryetari i partisë sonë është lokomotiva e fushatës, është udhëheqësi i listës së deputetëve, që ka marrë përsipër projektin tonë, ndërsa nga ana tjetër kemi një kandidat për Kryeministër, i cili ka frikë të kandidojë si deputet. Së katërti, Partia Demokratike ka shpallur një program të qartë për katër vitet e ardhshme, ndërsa pala tjetër vazhdon të merret me sovranitetin ushqimor. Në fund, ne kemi një ekip njerëzish të provuar, ndërsa pala tjetër vazhdon të mbetet në kuadër të eksperimenteve të "politikës së re".

Përtej pozicionimeve të fushatës, nëse do t‘u duhej të vlerësonit njërin prej kandidatëve kundërshtarë në qarkun tuaj, kush do të ishte ai?

Në ndryshim nga e majta, ne kemi një diferencë të madhe doktrinale. Ne kemi respekt për njeriun, për individin, ne nuk e shohim atë si një mjet politik. Në këtë kuptim, problemi nuk mund të shtrohet si personal. Unë nuk kam asnjë problem personal me emrat në listën e Partisë Socialiste. Qasja s‘mund të jetë përpos se politike. Problemi në listën e Partisë Socialiste nuk është as numri 1 dhe as numri 32. Ngërçi i asaj liste është numri zero, ai që mungon. Partia Socialiste shkon në këto zgjedhje pa lider dhe ky është një kontribut i keq për kulturën politike shqiptare. Është pabesi për votuesit socialistë dhe prodhon një problem të madh legjitimiteti. Kandidati i opozitës për Kryeministër nuk kandidon për të qenë anëtar i Parlamentit. Ky është paradoks.

CV

Arben Imami

Deputet, nënkryetar dhe kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike (1991-1992)

Bashkëkryetar i komisionit parlamentar për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (1997-1998)

Ministër i reformës legjislative dhe marrëdhënieve me Parlamentin 1997-1999; ministër i Drejtësisë 2000-2001; ministër i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit 2000-shkurt 2002

Drejtor i kabinetit të Kryeministrit (2005-2009)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›