E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji Zgjedhor përfundon rinumërimin e votave në 10 QV të qarkut të Lezhës

TIRANE- Në Kolegjin Zgjedhor përfundoi rinumërimi i votave në 10 qendra votimit të ZAZ-së nr. 13 në qarkun e Lezhës. Trupa e Kolegjit u tërhoq për 20 minuta, për të dëgjuar pretendimet e palëve e për të lexuar më pas vendimin.

Trupi gjykues vendosi qe procesi i rinumërimit dhe vlerësimit do të realizohej nga katër grupe. Grupi i parë përbëhej nga 2 specialistët e KQZ-së Dashamir Alsula, Julian Bytyçi, dhe vëzhguesi Edmond Sojani. Grupi i dytë përbëhej nga specialistët e KQZ-së, Elvis Beja, Enri Veseli, dhe vëzhguesi Edmond Kurti. Grupi i tretë përbëhej nga specialistët Nestor Kerraj dhe Olsi Peto dhe vëzhguesi Edmond Gjini, ndërsa grupi i katërt përbëhej nga specialistët Syrja Alushi dhe Elton Lika dhe vëzhguesi Hajredin Ismaili.

Partia Demokratike kishte kërkuar rinumërimin e votave në të gjithë zonën zgjedhore të këtij qarku, por Gjykata pranoi të rinumërojë vetëm 10 qendra që nuk kishin tabela origjinale të rezultateve.

Procesi i rinumërimit për këto qendra votimi ishte parashikuar të niste në orën 15:00 në selinë e Gjykatës së Apelit, por u shty për në orën 18:00 për shkak se kutitë nuk mbërritën në kohë nga Lundra në Kolegjin Zgjedhor.

Ndërkohë po sot, Kolegji Zgjedhor ka vendosur pushimin e çështjes për sa i përket padisë së PS-së, e cila kërkonte rivotim në qarkun e Lezhës. PS nuk u përfaqësua në seancë, ndërsa i paraqiti trupës së Kolegjit një shkresë ku deklaronte tërheqjen nga ankimimi për rivotim.

BYLYKBASHI: NË LEZHË KEMI FITUAR ME 740 VOTA DIFERENCË
Ora 13:20- Pasi Kolegji vendosi të pranojë kërkesën për rinumërim në 10 QV votimi në Lezhë, përfaqësuesi ligjor i saj, Bylykbashi shprehet se u provua trafikimi i votave që PS bëri në Lezhë.

“Procesi është në vijim, Kolegji e pranoi kërkesën pjesërisht vetëm në 10 QV, jo në total. Këto qendra provuan se PS kishte trafikuar dhe vjedhur me presion dhe mënyra të tjera të paligjshme 400 vota të PD”, tha ai.

Sipas tij, “Cdo votë e shqiptarëve duhet të shkojë aty ku është hedhur, ne nuk kemi fituar me 39 vota diferencë, por kemi fituar me 740 vota. Nuk duhet të ndodhin më paudhësi”, shtoi Bylykbashi.

KOLEGJI ZGJEDHOR PRANON ANKIMIMIN E PD, NË 15:00 NIS RINUMËRIMI
Ora 13:00- Kolegji Zgjedhor pranon animimin e PD-së për rinumërim të kutive të votimit të qarkut Lezhë. Mësohet se Kolegji Zgjedhor ka vendosur sot të rinumërohen 10 kuti të QV me problematike, që janë konstatuar me probleme edhe nga rinumërimi në KQZ.

Sipas Kolegjit rinumërimi do të bëhet në ambientet e gjykatës nga 4 grupe rinumërimi. Mësohet se Kolegji pranoi si provë tabelat e rezultateve të ZAZ 13. Pritet që procesi të nisë rreth orës 15:00.

KOLEGJI ZGJEDHOR TËRHIQET PËR TË SHQYRTUAR PROVAT
Ora 12:30- Mësohet se Kolegji Zgjedhor është tërhequr për të shqyrtuar provat që PD ka paraqitur.
Sipas PD prova janë tabelat e dala nga ZAZ pas rinumërimit nga KQZ dhe procesverbali i mbledhjes së KQZ. Ndërkohë që pritet vendimi i Kolegjit për këto prova. 

KERKESA ANKIMORE E PD
Ora 11:00- Përfaqësuesi i PD-së, juristi Ivi Kaso paraqiti ankesën, ku PD i kërkon trupës gjyqësore të Kolegjit që të rinumërojë të gjitha kutitë për shkak të parregullsive që kanë ndodhur në këtë zonë zgjedhore.
"PD kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit të të gjitha qendrave të votimit në Lezhë. Praktikisht, të njëjtat fletë që u panë në KQZ dhe u rinumëruan e rivlerësuan, t’i rivlerësojë e rinumërojë Kolegji dhe t'i përfshijë në rezultat', thuhet në kërkesën e PD-së.

BYLYKBASHI: TËRHEQJA E PS, PËR TË MBULUAR MASKARADËN E LEZHËS
Ora 10:30- Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Oerd Bylykbashi akuzoi PS-në se po ushtron presion mbi Kolegjin Zgjedhor.

“Jam i sigurt që këto janë vetëm arsye taktike të Partisë Socialiste se nga fillimi deri në fund është përpjekur të mbulojë atë maskaradë të cilën e zbuluam në sytë e publikut në KQZ. PS bëri një kërkesë taktike për pavlefshmëri ndërkohë që referoi për prova shkeljesh të rënda në qarkun e Lezhës. Sot Kolegji Zgjedhor mori një tjetër vendim haptazi nën influencën e Partisë Socialiste. Sa herë PS ka kërkuar dicka ky kolegj ka marrë vendim dhe e ka pranuar atë kërkesë dhe kjo është diçka që tregon një presion të jashtëzakonshëm, që PS me arrogancë po ushtron mbi organin e vetëm ankimor që ka mbetur në këtë vend, pasi shkatërroi KQZ. Tashmë ky kolegj certifikoi këtë kërkesë taktike për të mbuluar vjedhjen e madhe që ndodhi në Lezhë", tha Bylykbashi.

Pas rinumërimit të kutive nga KQZ një javë më parë, PD rriti diferencën e votave mes dy koalicioneve, nga 39 në 740 vota. Vendimi i KQZ-së i 10 korrikut për qarkun Lezhë çoi në ndarjen e mandateve: 4 për aleancën e djathtë dhe 3 për atë të majtë.

Dy ditë më parë, PS njoftoi për tërheqjen nga kërkesa e saj ankimore për pavlefshmëri dhe rivotim në qarkun e Lezhës, me qëllim që t'i hapet rruga çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe përmbylljes së shpejtë të procesit.

(m.a/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›