E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji Zgjedhor pritet të japë vendimin final për rezultatin zgjedhor të Tiranës. KQZ: Vendimi për numërimin e votave, korrekt dhe ligjor

13-06-2011 / Gazeta 55

UPDATE- Përfaqësuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në seancën e Kolegjit Zgjedhor të Apelit, Dëshira Pasko, kërkoi nga trupa gjyqësore rrëzimin e kërkesës së Partisë Socialiste si të pabazuar në ligj


Kolegji Zgjedhor nisi sot shqyrtimin e kërkesë padisë së Partisë Socialiste për rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit, për bashkinë e Tiranës. Kolegji dëgjoi fillimisht përfaqësuesen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Dëshira Pasko e cila ka theksuar se vendimi numër 709 i marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për votat në kutitë e gabuara, është i drejtë.


Sipas saj pretendimet e Partisë Socialiste për mospërputhje votash nuk qëndrojnë ndërsa ka kërkuar nga Kolegji të rrëzojë kërkesën e PS-së në lidhje me këtë çështje.


Më herët në fjalën e tij përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri argumentoi kërkesë padinë e socialistëve, që kërkon shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së, vendim i cili ndryshoi tabelat e rezultateve për kryeqytetin. Ai sqaroi se PS kërkon pavlefshmërinë e vendimeve nr 710 dhe 711, të KQZ-së, përmes të cilave u shpall rezultati final për Tiranën, pas numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar.


Sipas tij, këto vendime janë marrë në kundërshtim me ligjin, pasi rezultati i shpallur prej tyre ka ndryshuar të gjitha tabelat e KZAZ të depozituara në KQZ ndërsa ka shtuar se ka mospëputhje të fletëve të votimit me numrin e votuesve.


Ndërkaq, pritet që pas pak minutash, në 19:30 Kolegji Zgjedhor të japë vendimin e radhës për kërkesën e tretë të opozitës, pas rrëzimit të dy të parave, 2 javë më parë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›