Kolegji Zgjedhor rrëzoi sot ankimin e Partisë Konservatore për Durrës

Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë rrëzoi sot ankimimin e Partisë Konservatore që kërkonte pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së të datës 11 korrik 2009 për tabelën e rezultateve të Qarkut Durrës në zgjedhjet e 28 qershorit. Pas dëgjimit të palëve, trupa gjyqësore e përbërë nga pesë anëtarë, ku relator i kësaj çështje ishte gjyqtari Petraq Dhimitri, u tërhoq për të marrë vendim. Sipas vendimit, kërkesa e Partisë Konservatore ishte e pabazuar në ligj dhe në të tilla kushte ajo rrëzohet. Partia Konservatore u përfaqësua në seancën e sotme nga kryetari i saj Armando Ruço, i cili parashtroi para anëtarëve të trupës gjyqësore pretendimet "për veprime arbitrare", të konstatuara në katër KZAZ-të e Qarkut Durrës ndaj këtij subjekti zgjedhor. Ndërsa zyrtarë të KQZ-së, të pranishëm në sEance në cilësinë e palës së paditur, mbrojtën vendimin e Komisionit për Qarkun e Durrësit, duke u shprehur se ankesa e paraqitur nga konservatorët është "e pambështetur në prova dhe ligj". Partia Konservatore nuk arriti të fitonte asnjë deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohës, sipas Kodit Zgjedhor, vendimet e Kolegjit janë të formës së prerë. Tetë anëtarët e kësaj trupe gjyqësore e ushtrojnë detyrën e tyre deri në përfundim të legjislaturës së ardhshme.
...