Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PS për Beratin
TIRANE- Është mbyllur seanca plenare e Kolegjit Zgjedhor, gjatë së cilës është marrë vendimi për rrëzimin e kërkesës së Partisë Socialiste e cila këkonte rivlerësim të votave në KZAZ nr 2 dhe 3 dhe rivlerësim total në KZAZ nr 1 të qarkut të Beratit.
Vendimi erdhi në bazë të nenit 158 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, ankimimi ishte i pabazuar në ligj.
Seanca ka zgjatur rreth 3 orë, duke arritur më pas në vendimin e formës së prerë për rrëzimin e kërkesë padisë së socialistëve. Seanca u drejtua nga gjyqtarja, Dhurata Haveri.
Ndërkaq, një ditë më parë PS fitoi betejën e parë në Kolegjin Zgjedhor pas ankimimeve të saj për parregullsi në procesin e votimit në KZAZ 19 në Fier. Kolegji Zgjedhor pranoi padinë e PS e cila kërkonte shpalljen e pavlefshme të 440 fletëve të votimit të qendrës me numër 3052 , të cilat KQZ i kishte vlerësuar të vlefshme, edhe pse mungonin vulat e duhura.
(e.n/Balkanweb)