E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, shpërthim minash. Dëmtohen disa banesa

Shpërthim minash në fshatin Breg-Lumë në rrethin e Kukësit. Dhjetra banesa janë dëmtuar si pasoje e këtij shpërthimi që është përdorur për thyerjen e një beton-arme në këmbët e një ure, e cila po ndërtohet nga një firmë si pjesë e Durrës- Kukës. 

KUKËS- Dhjetëra familje në fshatin Breg-Lumë i cili ndodhet 7 km larg qytetit të Kukësit, kanë përjetuar çaste ankthi dhe tmerri nga shpërthimi i minave. Shpërthimi i lëndës plasëse është përdorur për thyerjen e një beton-armeje në këmbët e një ure që po ndërtohet nga firma maqedonase “Granit”, si pjesë e autostradës Durrës- Kukës.
Kështu shpërthimet kanë shkaktuar dëme të shumta në shtëpitë e banorëve aty pranë duke u shkaktuar atyre çarjen e mureve, si dhe dëmtimin e tyre.

Banorët, shtëpitë e të cilëve ndodhen 60 metra nga autostrada, ngrejnë shqetësimin se u është bllokuar rruga e banesave nga rënia e gurëve dhe dherave në oborre.

Njëri nga banorët shprehet, “shtëpia ime ndodhet 30 metra larg rrugës. Shpërthimi i minave është bërë pa na vënë në dijeni mbi punimet që po kryheshin, për pasojë janë shkaktuar dëme të mëdha. Fëmijët janë trembur, shtëpitë na janë prishur, gurët na kanë zënë rrugën si dhe na kanë rënë edhe mbi tjegullat e çatisë duke i dëmtuar ato”- thekson banori.

Shpërthimi i këtyre minave dy ditë më parë rreth orës 19:30 minuta është bërë pa njoftuar asnjë prej banorëve dhe për këtë ata janë trembur si rezultat i tronditjeve të mëdha, teksa janë të shqetësuar edhe për dëmtimin e banesave të tyre. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›