Kolegji rrëzon dy vendimet e KQZ-së për fletën e votimit në Tiranë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka humbur dje në Kolegjin Zgjedhor tri beteja me Partinë Socialiste dhe Partinë e Çështjeve Shqiptare. Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar tre vendime të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe që kanë patur të bëjnë me fletën e votimit për kryetar bashkie dhe anëtarë të këshillit bashkiak të Tiranës, si dhe me regjistrimin e kandidatëve për anëtarë të këshillit bashkiak të Sarandës. Vendimet e djeshme të Kolegjit vijnë pas vendimit të së shtunës, ku gjithashtu u rrëzua një vendim tjetër i KQZ-së dhe që kishte të bënte po ashtu me modelin e fletës së votimit. Kështu, në vetëm tri ditë socialistët kanë mundur të rivendosin në Gjykatën e Apelit tri herë të drejtën e tyre të cenuar gjatë vendimmarrjes së KQZ-së lidhur me përgatitjet për procesin Zgjedhor.
Fleta për Këshillin
Çështja e parë që ka marrë në shqyrtim dje Kolegji ka qenë kërkesa e PS-së për të shpallur të pavlefshëm vendimin e KQZ-së për përcaktimin e specifikimeve të fletës së votimit për anëtarë të këshillit bashkiak të Tiranës. Të parët që kanë parashtruar pretendimet e tyre ka qenë pala ankimuese, ku avokati i PS-së, Eno Bushi, ka theksuar se KQZ në vendimmarrjen e saj ka bërë një renditje të gabuar të koalicioneve në fletën e votimit për anëtarë të këshillit bashkiak, duke vendosur të parin në listë koalicionin e së djathtës, “Aleanca për Qytetarin”, ndërkohë që koalicionin “Aleanca për të Ardhmen” të dytin. Sipas tij, një radhitje e tillë nuk bazohet në rendin alfabetik të fjalëve, dhe për këtë ai ka sjellë raste të ngjashme ku nyjet dhe lidhëzat që përbëjnë një togfjalësh nuk merren për bazë. Ndërkohë që përfaqësuesja e KQZ-së, Dëshira Pasko, ka këmbëngulur se një renditje të tillë e ka bërë vet programi kompjuterik. Pro kësaj logjike ishte edhe PD-ja, si palë e interesuar, e cila nëpërmjet avokatit të saj Ivi Kaso ka sjellë para trupit gjykues se edhe në fjalorët e vendeve të tjera të huaja merren për bazë në renditjen alfabetike edhe nyjet. Pasi ka dëgjuar të gjitha palët, Kolegji ka vendosur rrëzimin e vendimit të KQZ-së, si në kundërshtim me Kodin dhe rregullat drejtshkrimore dhe ka kërkuar nga ky institucion që të rivendosë në fillim të fletës së votimit koalicionin e majtë “Aleanca për të Ardhmen”.
Fleta për kryetar
Më pas Kolegji, me një përbërje të ndryshuar, ka rihapur çështjen tjetër sipas kërkesës tjetër të paraqitur nga socialistët dhe që kishte të bënte me fletën e votimit për kandidat të Bashkisë së Tiranës. Sipas avokatit të socialistëve, KQZ në mënyrë të padrejtë ka lënë kandidatin e koalicionit të majtë, Edi Rama, të pashoqëruar me inicialet e partive që e përbëjnë këtë koalicion, çka sipas tij sjellë pabarazi të kandidatëve në këtë garë, pasi emri i kandidatit të koalicionit të djathtë, Lulëzim Basha, shoqërohet edhe me germat nistore të partive që bëjnë pjesë në koalicion. Por, sipas KQZ-së dhe përfaqësuesve të PD-së, një pretendim i tillë nuk ka vend dhe është i pabazuar në Kodin Zgjedhor dhe në vendimmarrjen e mëparshme të KQZ-së, ku janë përcaktuar se koalicionet do të regjistroheshin sipas specifikimeve që do të kishin vetë marrëveshjet me anë të të cilave ishin krijuar këto koalicione. Sipas PD-së, socialistët kanë paraqitur vetë në marrëveshjen e krijimit të koalicionit se shkronjat nistore të këtij koalicioni është “AA” dhe jo shkronjat nistore të partive që e përbëjnë atë. Pavarësisht ballafaqimit të këtyre pretendimeve, ajo që ka ndryshuar situatën në favor të palës ankimuese duket se ka qenë një projekt-akt i vetë KQZ-së, i paraqitur në cilësinë e provës nga avokatët socialistë, ku emri i kandidatit të opozitës shoqërohej edhe me shkronjat nistore të partive anëtare të koalicionit. Si përfundim, edhe për këtë kërkesë Kolegji i ka dhënë të drejtë palës ankimuese, duke rrëzuar vendimin e KQZ-së dhe duke e detyruar atë që krahas emrit të Edi Ramës të vendoste edhe emrat e partive anëtare të koalicionit. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, KQZ ka pranuar edhe një kërkesë të Partisë së Çështjeve Shqiptare për regjistrim kandidatësh për anëtarë të Këshillit Bashkiak Sarandë.