E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policë dhe kamera për prodhimin e fletëve të votimit

SHKRUAN: Fejzi Braushi 19-04-2011 13:54

Fleta e votimit për zgjedhjet vendore të 8 Majit do të prodhohet në vend nga kompania “MediaPrint”. KQZ ka nënshkruar kontratën me kompaninë përkatëse, ndërsa dje ka marrë dhe konsensusin e socialistëve kundrejt dhënies së një sërë garancish, qoftë për sigurinë në ambientet e printimit, ashtu edhe për përbërësit dhe elementet e sigurisë së vetë fletës së votimit. Për këtë qëllim KQZ ka miratuar dje një akt të posaçëm në përbërje të të cilit janë vendosur 9 garancitë e kërkuara nga PS-ja lidhur me procesin e prodhimit të fletës së votimit.

Mbledhja

Vendimmarrja e djeshme e Kolegjit Zgjedhor ka ndërgjegjësuar palët në KQZ që vendimmarrja e saj të jetë sa më shumë konsensuale. E në këtë frymë KQZ ka mundur të miratojë një sërë vendimesh tepër të rëndësishme me thuajse 6 vota, me përjashtim të vendimit për anëtarin e 4-t të GNV-ve Partisë Socialiste, i cili u miratua me 5 vota. Megjithëse nuk ishte fare në rend të ditës, KQZ ka pranuar të marrë në shqyrtim dhe të kthejë në një akt të sajën një sërë propozimesh të socialistëve lidhur me garancitë që duhet të ketë procesi i printimit të fletëve të votimit nga kompania “MediaPrint”. Faktikisht, përfaqësuesit socialistë i kanë vendosur garancitë e kërkuara prej tyre si kushte për të kthyer besueshmërinë e procesit të printimit të fletës së votimit, ndaj kanë këmbëngulur në disa kërkesa kryesore, siç ishte ajo për monitorimin e procesit nga përfaqësues të akredituar nga partitë politike, vëzhgimi me kamera 24 orë etj. Gjithashtu, ata kanë kërkuar që fletës së votimit t’i shtoheshin dhe një sërë elementesh sigurie, për të bërë të pamundur prodhimin e saj në një vend tjetër, apo për të minimizuar mundësitë e falsifikimit. Kështu, ata kanë kërkuar që letra të jetë “Wotermark”, dhe fleta të ketë hologramë si dhe mikroprintim të lexueshëm vetëm me anë të aparateve të veçanta. Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, kreu i KQZ-së ka pranuar që këto kërkesa të diskutoheshin, dhe për këtë ka vendosur një pushim të shkurtër në mënyrë që t’u lihej mundësi propozuesve që t’i paraqisnin propozimet e tyre në formën e një akti nënligjor.

Miratimi

Pas pushimit, KQZ-së i është paraqitur një akt me 9 pika, ku ndërmjet të tjerash ishte përfshirë dhe roli i policisë në ruajtjen e ambienteve ku do të printohej fleta e votimit. Kjo gjë nuk është pritur mirë nga përfaqësuesit demokratë, të cilët kanë hedhur hije dyshimi se përfshirja e policisë do të bëhej shkak për keqinterpretime më pas. Pavarësisht kësaj, KQZ ka miratuar me konsensus të gjitha propozimet e paraqitura lidhur me sigurinë e ambienteve. Ndërkohë që nuk është rënë dakord lidhur me shtimin e të gjitha elementeve të sigurisë dhe kjo për shkak të kohës së pakët që është në dispozicion për prodhimin e fletës. Kështu, është rënë dakord që socialistët të hiqnin dorë nga kërkesa për hologramën, ndërsa është pranuar ajo për mikroprintimin. Lidhur me këtë të fundit, ka patur debate lidhur me kodin që do të përfshihej aty dhe pala që do të kishte dijeni për të. Për këtë qëllim, përfaqësuesi socialist ka kërkuar fillimisht që ajo t’i lihej OSBE-së ose ODIHR, çka është hedhur poshtë si e pamundur, për shkak se këto organizata janë vëzhguese në proces. Më pas ai ka propozuar që kodi t’i jepej opozitës si garanci për procesin, çka është kundërshtuar nga demokratët dhe LSI. Në përfundim, është gjetur konsensusi që kodin ta propozonin nga një fjalë kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së dhe më pas të futej në prani të noterit në një zarf të vulosur dhe të depozitohej në një kasafortë në KQZ.

Garancitë e miratuara nga KQZ

Ruajtja e ambienteve të ‘Mediaprint’ nga Policia e Shtetit

Ndalohet hyrja dhe qëndrimi i policisë në ambientet e brendshme, me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj.

Subjektet zgjedhore mund të mbikëqyrin procesin e prodhimit të fletës së votimit me përfaqësues të tyre. Për këtë duhet të marrin autorizim nga KQZ.

Një subjekt zgjedhor mund të kërkojë autorizim vetëm për një përfaqësues. Për hyrjet dhe daljet e personave në ambientet e këtij ambienti mbahet procesverbal nga shoqëria.

Shoqëria ‘MediaPrint’ duhet të mbikëqyrë procesin e prodhimit të fletëve me anë të kamerave dhe sinjali duhet të transmetohet në KQZ. Filmimet duhet të ruhen në një DVD, e cila u vihet në dispozicion çdo subjekti pas një kërkese.

Shoqëria ‘MediaPrint’ duhet të dorëzojë në KQZ në çdo dy ditë një raport në lidhje me llojin dhe sasinë e fletëve të prodhuara

Shoqëria ‘MediaPrint’ duhet të depozitojë në KQZ sasinë e letrës që zotëron para nisjes së prodhimit të fletës, sipas të dhënave doganore.

Në përfundim të procesit të prodhimit, shoqëria duhet të shikojë sasinë e letrës së përdorur, letrën e mbetur dhe atë të dalë skarco. Gjithashtu, duhet të sigurojë lastrat e prodhimit të letrës.

Dorëzimi i fletës së votimit në magazinën e KQZ-së duhet të bëhet në mënyrë periodike dhe me eskortë policore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›