E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Rruga e Berishës na çon në dhunë dhe fashizëm

Kryetari i PS-së, Edi Rama, prezantoi dje në Fier kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Baftjar Zeqo. “Një votë për Zeqon është votë përtej kufijve partiakë”

FIER- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë përtej çdo ngjyre partiake, teksa prezantoi në Fier kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Baftjar Zeqo. "Puna e Baftjar Zeqos i bën qytetarët e këtij komuniteti të besojnë tek e nesërmja pa asnjë mëdyshje. Baftjari është një shembull për të cilin të gjithë jemi krenar dhe e bën votën për të një votë përtej kufijve të partive”, - tha Rama. Ashtu si edhe në takimet e tjera elektorale, kryesocialisti Edi Rama u shpreh se votën e 8 majit, qytetarët duhet ta përdorin për të çliruar Shqipërinë “nga regjimi i Saliut”. “Të çlirojmë Shqipërinë më 8 maj nga regjimi i Saliut, pavarësish partive që përfaqësojmë. Vota është e vetmja fuqi që kemi për ta nxjerrë të keqen që rrit faturat, të keqen që ju vë në rresht në listat e dyqaneve, të keqen që vazhdon t’ju marrë shpirtin e dinjitetin. Vota, e vetmja armë që keni për të marrë hak për plumbat e 21 janarit, për viktimat e Gërdecit, për deputetin Fatmir Xhindi e për Fatmir Myrtajn, për të gjithë ata që vidhen nga ky regjim kusarie”, - tha Rama. Kryetari i opozitës u bëri thirrje qytetarëve që të marrin në dorë fatin e tyre. “Domosdoshmëri marrja në dorë e të ardhmes, të kthejmë popullin në protagonist të zhvillimit, nga një vend ku ka 1 milion të papunë, në një vend ku e drejta për punë të kthehet në të drejtë të njeriut. Është koha kur të drejtat e çdo qytetari të jenë të lira. Është koha e pjesëmarrjes së madhe, koha për një aksion politik, t’i japë fund kufijve mes fshatit e qytetit”, - tha ai, duke kujtuar se opozita është e vetmja rrugë që shqiptarët të mos vuajnë më. “Ne jemi e vetmja rrugë, që asnjë shqiptar në rregull me ligjin të mos i friket qeverisë për shkak të zgjedhjeve të tij, që qytetarët të mos humbasin punën, për bindjet e tyre, që asnjë mësues të mos shkojë në miting nga urdhrat e qeverisë, e vetmja rrugë që asnjë derë e shtetit të mos mbyllet në sytë e qytetarit. E vetmja rrugë, për çdo qytetar pavarësisht bindjeve të tij. Rruga e tyre të çon në fashizëm e dhunë, rruga jonë është e mirëqeverisjes, rruga e marrëdhënieve të hapura, rruga për të transformuar realitetin”, - shtoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›