Kolegji shqyrton sot ankimimet e PS-LSI-së për Shkodrën e Kukësin
Tiranë- Kolegji Zgjedhor pritet të shprehet sot me një vendim për kërkesat ankimore të Partisë Socialiste dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun e Shkodrës dhe të Kukësit.
Dy ditë më parë u shty nga Kolegji ankimimi e PS-së për Shkodrën, pas kërkesës së Partisë Republikane, duke vendosur për shqyrtimin me themel të çështjes për sot.
PS-ja në kërkesën e saj kërkon shfuqizimin e vendimit të KQZ-së për rinumërim të votave të qarkut Shkodër. Sakaq që ditën e njte u përmbyll edhe procesi i rinumërimit për gjithë ZAZ-të e këtij qarku në KQZ, nga ku nuk u konstatuan parregullsi që të çonin në ndryshimin e raportit të mandateve.
Ndërsa dje, Kolegji shtyu për sot, vendimin për ankimin që Lëvizja Socialiste për Integrim bëri për rezultatin në qarkun e Kukësit, ku kjo forcë politike pretendon se i është marrë padrejtësisht një mandat deputeti të fituar nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013.
Sekretaria mori nga dy ekspertët Ardian Pollo (LSI) dhe Zamir Hoxha (PD) aktet e ekspertimit dhe tua vërë ne dispozicion palëve. Ekspertim i kryer në pamjet filmike gjatë procesit në numërimit të votave në 15 kuti. Si provë më të fortë, LSI paraqiti pamjet filmike të 15 qendrave të votimit në qarkun e Kukësit, ku tregohej mospërputhja e numrit të votave me rezultatin e tabelave përmbledhëse.
LSI pretendon se ka prova që nxjerrin në pah numërimin e gabuar të votave në kutitë e qarkut Kukës, ndërsa asaj i duhet vetëm 15 vota për të marrë një mandat në këtë qark. Nga ana tjetër LSI pretendon se ka 155 vota më shumë në Qarkun e Kukësit.