Kolegji shtyn për nesër shqyrtimin e ankimimit të LSI-së për Kukësin
Kolegji Zgjedhor ka shtyrë për nesër shqyrtimin e ankimimit të LSI-së për qarkun e Kukësit.
Shtyrja e seancës është bërë pasi dy ekspertët e Kolegjit nuk kishin bërë kopje të rezultatit të ekspertizës për palët e interesuara.
Në seancën e cila do të zhvillohet nesër në orën 16:00 pritet që dy ekspertët e Kolegjit të japin konkluzionet në lidhje me provat e paraqitura nga LSI për Kukësin.
Dy ditë më parë Kolegji pranoi provë materiale filmike dhe vendosi që akti i ekspertimit të bëhet nga dy ekspertë të caktuar nga 2 forcat politike të interesuara, LSI dhe PD.
LSI caktoi Ardian Pollon ndërsa Partia Demokratike Zamir Hoxha.
Sipas përfaqësuesve të LSI, Ilirjan Muho dhe Spartak Braho, në 15 Qendra Votimi në rrethin e Tropojës ka mospërputhshmëri të rezultatit final, të tabelës përmbledhëse të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pamjeve filmike.
Po sipas përfaqësuesve të LSI-së, bëhet fjalë për një total prej 155 votash, të cilat – sipas tyre – janë manipuluar, duke shkuar në favor të koalicionit të djathtë.