E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Apelit pezullon shqyrtimin për 21 janarin

Gjykata e Apelit ka pezulluar përkohësisht procesin gjyqësor për ngjarjet e 21 janarit. Pezullimi ka ardhur pas kërkesës së prokurorit të çështjes Shkëlqim Hajdari për përjashtimin e relatorit Astrit Haxhialushi.

Sipas prokurorit, gjyqtari Haxhialushi ka qënë anëtar i trupit gjykues ndaj  të pandehurit Fetah Meta i cili ka qënë pjesëmarrës në protestën e 21 janarit dhe ka dhënë vendimin për të.

Pas kërkesës së prokurorit, gjykata vendosi të pezullojë shqyrtimin e çështjes së 21 janarit derisa një trup tjetër gjyqësore të vendosë për kërkesën e prokurorit.

Edhe në seancën e sotme gjyqësore mungonin edhe dy të akuzuarit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo të cilët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre.

Më herët gjykata caktoi edhe dy anëtarët e rinj të trupës gjyqësore pas dorëheqjes së gjyqtarit Agron Papajani dhe përjashtimit të Fatos Qatos pasi ky i fundit është bashkëshorti i anëtares së PS-së Merita Qato e cila është edhe një nga organizatoret e 21 janarit.

Gjykata caktoi si pjesë të trupës gjyqësore e cila do të shqyrtojë ngjarjet e 21 janarit gjyqtarët Ervin Metalla dhe Evgjeni Sinoimeri.

Prokuroria

Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila shpalli të pafajshëm ish-komandatin e gardës Ndrea Prendi dhe ish-gardistin Agim Llupo.

Në apelimin drejtuar Gjykatës së Apelit, Prokuroria kërkon gjykimin e ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, për akuzën e vrasjes me dashje në rrethana cilësuese ndaj Faik Myrtajt dhe Agim Llupos, për vrasje me dashje në rrethana të rrezikshme të shtetasve Hekuran Deda dhe Ziver Veizi.

Prokuroria, në ankimin drejtuar Gjykatës së Apelit, thekson se akuzën e ngritur e konsideron të provuar mbi bazën e dëshmive të marra në hetimet paraprake dhe gjatë procesit gjyqësor, si dhe nga ekspertizat e kryera dhe administrimi i provave materiale.

Në apelimin e çështjes së 21 janarit organi i akuzës nuk do të ketë as ndryshim të masës së kërkuar të dënimit, 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet burg për Agim Llupon.

Në 7 shkurt, gjykata shpalli vendimin duke i dhënë pafajësi të pandehurve të procesit 21 janarit, ish komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo.

Prokuroria e Tiranës i akuzon Prendin dhe Llupon për vrasje me dashje të më shumë se dy personave, për shkak të cilësive të viktimave, por gjykata e hodhi poshtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›