Kolegji votoi 3 me 2 për pavlefshmëri absolute të rinumërimit të votave në Lezhë
Kolegji Zgjedhor ka miratuar me tre vota pro dhe dy pjesërisht kundër për të rrëzuar rinumërimin e votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Siç raporton Panorama, pesë anëtarëve u janë dashur rreth tri orë e gjysmë kohë për të marrë vendimin në favor të Partisë Socialiste.
Në përfundim të diskutimit brenda tyre, Andi Civici, Ilir Toska dhe Gjinovefa Gaba kanë votuar pro pranimit të kërkesës së PS-së, ndërsa Valbon Çekrezi dhe Kliton Spahiu kanë qenë pjesërisht kundër kësaj vendimmarrje.
Kolegji Zgjedhor vendosi pranimin e padisë, konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të KQZ-së nr. 744, datë 15.7.2013 dhe pranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 41, datë 15.7.2013, subjekti zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë; konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të KQZ-së nr. 739, datë 15.7.2013, të subjektit Partia Demokratike; konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të procesit të hetimit administrativ që lidhet me shqyrtimin në thelb të kërkesave ankimore të mësipërme, thuhet në vendimin e Kolegjit Zgjedhor./ep