E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolesteroli, kur është i rrezikshëm për shëndetin



Kolesteroli është një yndyrë e pranishme në trupin e njeriut. Bëhet fjalë për një substancë shumë të rëndësishme për organizmin tonë dhe në fakt është një pjesë shumë e domosdoshme për ndërtimin e membranës qelizore, të disa hormoneve e strukturave nervore, përveç faktit që është ushqyes për disa tipa qelizash. Nga ana tjetër, kolesteroli njihet si përgjegjës për disa sëmundje patologjike, që kanë të bëjnë me zemrën si dhe ataku kardiak. Pra, kolesteroli është i nevojshëm për organizmin, por është e nevojshme të mbahet në nivelin e duhur, sepse kur ky nivel kalohet për një kohë të gjatë, sjell probleme për shëndetin, duke e transformuar këtë substancë të rëndësishme për organizmin në një rrezik për të.
Nivelet
Në shumë studime shkencore është thënë se sasia totale e kolesterolit në gjak duhet të qëndrojë në 200 mg/ml dhe kolesteroli LDL ( i quajtur dhe kolesteroli i keq) nuk duhet t’i kalojë 130-160 mg/ml. Në rastet kur kalohen këto kufij bëhet fjalë për hiperkolesterol dhe është e nevojshme të merren masa për të, për ta sjellë nivelin e kolesterolit në vlerat e duhura.
Disa produkte ushqimore janë shumë të pasura me kolesterol, ndërsa disa të tjera nuk e kanë aspak në përbërjen e tyre. Prodhimet që vijnë nga kafshët për shembull, gjalpi dhe pana kanë sasi të lartë kolesteroli, ndërsa qumështi, mishi, peshku, ky nivel është mesatar, por te buka, makaronat dhe orizi kolesteroli mungon.
Kolesteroli në gjak
Kolesteroli në gjak merret me anë të ushqimeve dhe duke u përthithur në gjak transportohet me të në organe të ndryshme. Pra, nga gjaku kolesteroli kalon dhe në disa struktura të quajtura lipoproteina, kryesisht HDL dhe LDL. Këto emërtime vijnë nga përqindja e kolesterolit, proteinave dhe triglicerideve, dhe në bazë të tyre qëndrojnë disa ndryshime. HDL është kolesterolil i mirë, janë lipoproteina që përthithin kolesterolin nga gjaku dhe e çojnë në organe që kanë nevojë për të. LDL është kolesteroli i keq, janë lipoproteina që kanë aftësi të depërtojnë në muret e qelizave duke i mbingopur ato me kolesterol. Kjo nuk lejon depërtimin e gjakut në sasinë e nevojshme dhe kur këto probleme ndodhin në arterie, mund të çojnë në infarkt.
Mosha
Që në moshën 40 vjeçare, por ka raste edhe më përpara, kolesteroli ndodh të na ndjekë kudo, pa u larguar për asnjë moment. Pikërisht atëherë zë fill tundimi nga ushqimet e preferuara, por që shumë shpejt kthehen në fruta të ndaluara. Arsyeja është kolesterina. Çfarë rreziqesh, fsheh, në të vërtetë, kjo sëmundje dhe si mund ta parandalojmë atë? Tashmë të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se kolesteroli i lartë, apo thjesht kolesteroli, nënkupton një dietë të kujdesshme për të mbrojtur funksionin e zemrës dhe enëve të gjakut. Por çfarë njohurish të nevojshme zotërojmë rreth “vlerave” personale të kolesterolit, që duhet të ketë secili prej nesh? Së pari, duhet të kemi të qartë se për çfarë kolesterine flasim. Tashmë jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e HDL-së dhe LDL-së në gjakun tonë. Shuma e tyre përbën kolesterolin, për të cilin diskutojmë. E para, i ashtuquajturi “i mirë”, përbën atë që shpesh edhe vlerësohet si kolesterina mbrojtëse. I rrezikshëm, sikurse duket, mbetet të jetë i dyti, i ashtuquajturi “i keq”. Nëse sasia e përgjithshme e kolesterinës i kalon të 250 miligramët, ka shumë mundësi që LDL-ja të jetë rritur.
Sëmundja
Midis sëmundjeve, të cilat mund të shkaktojnë lehtësisht rritjen e kolesterinës është edhe diabeti, anoreksia etj. Nëse përjashtohet prania e sëmundjeve të tjera, atëherë mund të mendojmë se vuajmë nga niveli i lartë i kolesterinës, e cila në këtë rast është e lindur (nuk ka ndonjë arsye tjetër). Në këtë moment shtrohet pyetja: është realisht i lartë dhe sa është me saktësi kjo vlerë? Dhe nëse përpara disa vitesh, supozohej si kufiri më i lartë sasia prej 200 miligramësh, sot çdokush ka një kufi të tij të dëshiruar, të cilit i korrespondon një sasi individuale kolesterine, në përputhje me gjendjen e funksionimit të zemrës. Ndaj shumë mjekë nuk interesohen më për shumën e kolesterinës, por vetëm për nivelin e LDL-së në gjak.
Rreziku
Mjeku duhet të ndjekë me kujdes funksionimin e zemrës tek pacienti i cili vuan nga kolesteroli i lartë. Kjo gjë është e domosdoshme, pasi faktor i rrezikshëm për të sëmurët e zemrës e të enëve të gjakut, nuk është vetëm kolesterina e lartë. Por mund të jenë: hipertensioni, mosha, diabeti, jeta e mbyllur, pa shumë lëvizje, duhani etj. Atëherë mjeku mund të përkufizojë se cila është vlera e vërtetë, e përshtatshme për një person të veçantë dhe kështu ai mund të realizojë terapinë përkatëse.
1. Rrezik i shtuar për zemrën
Në këtë kategori hyjnë të gjithë personat, të cilët paraqesin shenja të sëmundjeve në zemër, apo në enët e gjakut. Po në këtë grup përfshihen edhe individët të cilët kanë më shumë se dy faktorë rreziku.
Për të gjithë këta, niveli fiziologjik i kolesterinës LDL nuk duhet të kalojë të 100 miligramët. Në këtë gjendje mjeku mund të ndërhyjë për të përmirësuar shëndetin e pacientit në këtë mënyrë: nëse vlera e LDL-së është midis 100 me 130 miligramë, do të mund ta ulte kolesterinën me dietë dhe ushtrime fizike. Në rast të kundërt (LDL-ja i kalon të 130 miligramët), është e logjikshme të përparojë në përdorimin e kurës me ilaçe.
2. Rrezik i mesëm për zemrën
Rreziku vlerësohet si i mesëm, në rastet kur ekzistojnë një apo dy faktorë rreziku. (psh. burrë, mosha mbi të 50-tat, duhani etj). Mjeku do të ndërhyjë me të njëjtën mënyrë, por duke u bazuar në vlera të ndryshme: dietë dhe ushtrime fizike nëse LDL-ja gjendet në kufijtë 130 deri 160 miligramë, dhe me ilaçe kur i kalon të 160 miligramët.
3. Rrezik i ulët për zemrën
Në këtë rast ekziston vetëm një faktor rreziku në lidhje me vlerën e rritur të kolesterinës (p.sh. burrë mbi të 50-at, grua në prag të lindjes etj). Atëherë, vlera-bazë e lejuar e LDL-së kap të 160 miligramët (vlera e përgjithshme e kolesterinës shkon në 240 miligramë). Në këto raste mjeku do të fillojë përdorimin e terapisë me ilaçe kur LDL-ja do t’i kalojë të 190 miligramët (kolesterina e përgjithshme në 280 miligramë).
4. Rrezik shumë i vogël për zemrën
I takon vetëm një kategorie njerëzish: grave të reja, të cilat kanë vlera të LDL-së mbi 60 miligramë. Në këto raste LDL-ja e dëshiruar nuk duhet të kalojë të 190 miligramët (kolesterina e përgjithshme në vlera prej 280 miligramësh).
Katër veprimet kyçe
Janë disa veprime kyçe që duhet të ndërmarrim në mënyrë që të kontrollojmë vlerat e kolesterinës në organizmin tonë.
Shenjat, të cilat janë të dyshimta për praninë e kësaj sëmundje:
Lodhje e vazhdueshme, pa shkak
Rënie e përgjithshme e organizmit
Marrje mendsh, probleme gjatë ecjes (ngërçe, fryrje dhe dhembje të këmbëve etj)
Formimi i disa qeskave, kisteve dhjamore, sidomos në zonën poshtë syve, nën veshë, midis gishtave etj.
Si realizohen analizat
Me anën e një analize të përgjithshme të gjakut, mund të kontrolloni vlerat e HDL-së dhe LDL-së.
Nëse kolesterina është e lartë
Mos nxitoni ta cilësoni menjëherë veten tuaj si “i sëmurë”. Mjeku është i vetmi person kompetent, për të kontrolluar vlerat e kolesterinës dhe për të përcaktuar nëse vërtet janë të larta, apo jo, dhe nëse keni nevojë t’i nënshtroheni ndonjë terapie.
Terapia
Mjeku, mbasi të jetë ndërgjegjësuar për vlerat e kolesterinës në gjakun tuaj do të rekomandojë:
Dietë dhe ushtrime fizike
Në rastet kur vlera e kolesterinës vazhdon të rritet, atëherë është i nevojshëm përdorimi i kurave të përshtatshme me ilaçe
Të keni parasysh se do të keni nevojë për terapi të vazhdueshme dhe të rrepta. Vetëm në këtë mënyrë do të jeni i sigurt se ky “armik” u luftua përgjithmonë

Si ulet kolesteroli
Për të ulur përqindjen e lartë të kolesterolit nuk duhet të pini cigare dhe nëse pini, mundoheni ta ulni numrin e tyre deri sa ta ndaloni krejtësisht
Merruni me ushtrime fizike në mënyrë të rregullt. Mbani një peshë ideale (pesha ideale është ajo që keni pasur kur keni qenë 25 vjeç)
Kujdes me alkoolin, mundohuni të mos konsumoni shumë yndyrat, favorizoni zarzavatet dhe frutat
Favorizoni më tepër konsumin e peshkut sesa të mishit
Përdorni më shumë vajin e ullirit se sa gjalpin në përgatitjen e vakteve
Kujdes me ëmbëlsirat e ndryshme, sepse bëhen gjithnjë me shumë vezë, po ashtu duhet të largoni nga ushqimet tuaja gjalpin, djathin sallamet e ndryshme

Përgatiti: Jonida Tashi

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›