E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi në NATO, sa përfiton ekonomikisht Shqipëria

Vendi pret një bum investimesh të huaja, që do të gjejnë siguri. Ngjitja u bë me 10 shkallë në rritjen e sigurisë së investimeve

Ervin Koçi

Anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut ose siç njihet ndryshe NATO, krahas rritjes së sigurisë dhe ndikimit pozitiv në nxitjen e reformave të gjithanshme, ofron dhe përfitime ekonomike për vendin. Shanset e reja nga përfitimi ekonomik i vendit, janë veçanërisht për rriten e investimeve të huaja e cila pas këtij anëtarësimi do të konvertohet në siguri për ta. Ekspertët e fushës ekonomike dhe të biznesit janë shprehur në lidhje me përfitimet afatshkurtra dhe afatgjata ekonomike të vendit tonë nga marrja zyrtare e ftesës, por njëkohësisht tërheqin vëmendjen për thellimin e reformave. Qeveria shqiptare në optimizmin e saj është shprehur se “anëtarësimi në NATO do të pasohet me një bum të investimeve të huaja”. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, duke iu referuar përvojave të vendeve të ish-Bllokut Lindor, tashmë të anëtarësuara në NATO, është shprehur disa ditë më parë për mediat se pret një rritje të fortë të investimeve të huaja brenda një periudhe shumë të shkurtër. “Përfitimet do të jenë të gjithanshme, por impakti më i dukshëm, padyshim që do të jetë tek investimet e huaja direkte”, - tha Ruli.

Investimet

Shqipëria është aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, vendi që tërheq shifrën më të ulët të investimeve të huaja në rajon, që në vitin më të mirë të tyre kanë qenë më pak se 500 milionë dollarë. Sipas Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, “Bullgaria në 12 muajt e parë pas marrjes së ftesës arriti të trefishonte investimet e huaja në vend, ndërsa Çekia vitin e parë të anëtarësimit arriti në një tërheqje prej 9 miliardë eurosh të investimeve të huaja. Të gjitha këto përkthehen në vende pune, në mirëqenie të rritur për individin, por dhe për shoqërinë në tërësi, përkthehen në një cikël të ri zhvillimesh ekonomike dhe shoqërore për shoqëritë të bëra pjesë të kësaj aleance”. Ndërsa kryetari i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ilir Zhilla, ka thënë se, “kjo është një ndër ngjarjet më madhore edhe për biznesin shqiptar si dhe atë të huaj që vepron në Shqipëri, sepse menjëherë vendi ngjit mbi 10 shkallë në rritjen e sigurisë së investimeve”.

Tregjet

Marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO, sipas ekspertëve të ekonomisë, rrit menjëherë edhe vlerën e tregjeve të imobiliareve në vendin tonë, vlerën e pasurisë së krejt shqiptarëve. Shumë kompani prestigjioze, që deri tani megjithëse janë ofruar për investime me projekte, kanë nguruar për të derdhur kapitalet e tyre. Ndërkohë, me këtë anëtarësim, atyre u hapet menjëherë rruga për të rritur investimet në të gjithë sektorët e ekonomisë. Këto investime të pritshme, jo vetëm do të fuqizojnë ekonominë e vendit, por do të rrisin edhe punësimin si dhe të ardhurat e popullatës dhe mirëqenien e tyre.

Opozita

Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, e konsideron integrimin euroatlantik të vendit si një mesazh pozitiv që i jepet botës, dhe veçanërisht investitorëve të huaj potencialë për reformat që është duke kryer Shqipëria. "Ballkani është konsideruar nga investitorët e huaj si një vend me risk politik të lartë, për shkak edhe të konflikteve të hershme që ekzistojnë mes disa prej vendeve të rajonit. Për këtë, shumë shoqëri ndërkombëtare që vendosnin të investonin në rajon, duhet që më parë të paguanin prime sigurimi, çka përbente një kosto shtesë për investimet e tyre. Integrimi, krahas garancisë që jep për investimet e huaja, lehtëson këto kosto shtesë", thotë Malaj. Ndërsa ish-ministri socialist i Ekonomisë, Anastas Angjeli, e komenton me optimizëm integrimin e Shqipërisë në NATO. Ai thotë se “përfitimet për vendin tonë do të jenë në shumë plane, duke e vënë theksin te ndikimet pozitive në ekonomi dhe rritjen e investimeve të huaja”.
Sipas tij, integrimi euroatlantik do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë, jo vetëm në rritjen e investimeve të huaja direkte, por ai do të shërbejë edhe si një nxitës në zhvillimin e biznesit dhe investimeve vendase.

Fullani: “Ftesa për në NATO, garanci për në BE”

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e vlerësoi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si “garanci për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në familjen evropiane". Guvernatori Fullani u shpreh në Forumin mbi Sistemin Bankar, që po zhvillon punimet në Tiranë, se “sot është një ditë e madhe, e shënuar për të gjithë ne. Mbledhja e sotme e njoftuar kohë më parë, koinçidon me një ngjarje të rëndësishme të veçantë. Ftesa për në NATO është një privilegj i cili sjell me vete besimin, certifikimin dhe sigurinë për investime të reja për Shqipërinë”. Sipas Fullanit, “në të njëjtën kohë dhe mbi të gjitha, ky eveniment mbart përgjegjësinë në arritjen e standardeve dhe materializimin e reformës strukturore”.

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›