E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, përfitimet dhe kostot



Nga Fatos Çoçoli

Ja ku hymë dhe ne në NATO! Pa dyshim, një arritje e jashtëzakonshme për vendin tonë. Edhe pse që të jemi vend anëtar me të drejta e status të plotë, do të duhet ndoshta një vit i tërë, mund të themi se jemi brenda. Çdo të thotë kjo për ne? Për fat të keq, nuk do të thotë se ambasadat perëndimore do të hapin dyert për ne dhe në vendet evropianoperëndimore do të shkojmë pa viza, sikurse shprehej një nënë shamizezë e brengashumë, e intervistuar përpara pak ditësh nga një televizion. Por ftesa për anëtarësim ka dobiprurje në anë të tjera.
Politikisht Shqipëria forcon pozitat e saj në Ballkan e madje në Evropë. Kosova nga një Shqipëri me kufij tashmë të mbrojtura nga NATO ndihet edhe ajo vetë më e sigurt.
Ndërsa në pikëpamje ekonomike, një vend anëtar ose duke hyrë pa kthim mbrapa në NATO është një garanci për shumë kompani investuese të huaja. Ndoshta kjo duhet që kompani gjigante konsumi e tregtie si “Tasco” apo ‘Carrefours” të fillojnë të mendojnë për Shqipërinë...Dhe nëse mendojnë ata, me dhjetëra mijëra familje fermerësh shqiptarë në Fier, Lushnjë, Kavajë, Vlorë apo Lezhë nuk do të kenë pse të shqetësohen se ku do t’i shesin perimet apo frutat e tyre.
Ose ndoshta është ende herët.
Sido që të jetë, ekspertë ekonomie përllogarisin se vetëm nga kjo atmosferë e re të një vendi NATO që po përjetojmë, do të bëjë që përgjatë këtij viti investimet e huaja të drejtpërdrejta të dyfishohen. Dhe kjo nuk është ëndërr me sy hapur. Mirëpo çfarë thamë më lart përbëjnë anën e dukshme të Hënës. Faqja e padukshme ka supriza të tjera dhe këto jo dhe aq të këndshme.
Sa e përgatitur është ushtria shqiptare të hyjë në Aleancën Transatlantike? Katastrofa e Gërdecit shpalosi qartë strukturat e saj aspak efikase të kontrollit dhe përgjegjësisë mbi armët e vjetra që ka në dispozicion.
Nga ana tjetër, niveli i profesionalizmit të ushtrisë dhe i informatizimit të aktivitetit të saj është ende shumë i ulët. Për t’i ngritur këto nivele duhen “vinça” me krahë qindra milionë euroshe.
Prandaj e natyrshme lind pyetja: sa do të na kushtojë ky vit anëtarësimi në NATO(pse ftesa nuk nënkupton marrjen e letër-kredencialeve të plota)? Praktikisht ne shqiptarët kemi qenë më pozitivët dhe kërkuesit në afrimin me Aleancën Transatlantike. Ndoshta pse më pak se cilido vend tjetër i kontinentit dimë sakrificat që duhen bërë në reforma dhe kostot shoqëruese. Ndoshta pse BE-në dhe NATO-n deri tani i kemi parë si tavë bakllavash pasurie dhe sigurie, anëtarëve të të cilëve u lejohet të marrin secili nga një thelë.
Mirëpo këto anëtarësime kanë koston e tyre. Deri tani është përmendur vetëm një shifër prej 5 miliardë lekësh për zbatimin e zotimeve me Organizatën Botërore të Tregtisë. Askush nuk e di me saktësi sa do të kushtojë procesi i gjatë i futjes në BE. Mund të dihet kosto e përgatitjes së 100 mijë faqeve ligje të reja të domosdoshme.
Por kosto e zbatimit të tyre në praktikë është madhore sa dhe vetë procesi. Ndërkohë Brukseli i ka ofruar Tiranës një marrëveshje partneriteti dhe ndihme në formën e fondeve të paraanëtarësimit të quajtura IPA. Ndërsa modernizimi i ushtrisë sonë rrugës për në NATO është kosto e pastër shqiptare. NATO apo ushtritë e vendeve partnere dhe anëtare do të ndihmojnë me ekspertë dhe trajnime. Ndërsa pajisjet moderne duhet t’i blejmë të gjitha vetë. Ndryshe nga, për shembull modernizimi i tatimeve dhe doganave, ku blerja e kompjuterave apo laboratorëve, për shembull, është një shpenzim i përbashkët. Kështu që përballë një aleance politike që duket se kemi për të shkuar sa më shpejt drejt NATO-s, tashmë nevojitet një përkushtim edhe financiar. Pa dyshim që ai do të jenë në nivel të dhjetëra milionë dollarëve që këtë vit. Në mos më shumë.
Buxheti i shtetit lypset të mendojë për fondet e modernizmit të ushtrisë(informatizimit e motorrizimit të saj). Ndryshimi radikal nuk vjen vetëm duke modernizuar uniformat apo future gradat. Anëtarësimi real në NATO realizohet me trajnim intensive, me organizim perëndimor dhe blerje pajisjesh moderne. Dhe fondet për këtë të fundit nuk do të na i falë kush.

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›