NATO, si u krijua “perandoria” më e madhe ushtarake në botë
NATO-ja u themelua më 4 prill 1949, pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë një ceremonie në Uashington. Atëbotë ishin 12 shtete fillestare – dhjetë europiane dhe dy nga Amerika Veriore: Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Franca, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara. Greqia dhe Turqia u pranuan në vitin 1952, Gjermania në vitin 1955 kurse Spanja më 1982-shin. Parulla e NATO-s ishte e tillë që "sulmi mbi njërin nga anëtarët do të konsiderohej si sulm mbi të gjithë". Pra anëtarët do ta mbronin njëri-tjetrin nga ndonjë sulm i mundshëm i një shteti tjetër - syri ishte kah Rusia. Franca i keqësoi marrëdhëniet me NATO-n në vitin 1958, kur presidenti i atëhershëm francez, De Gualle, e kritikoi ashpër dominimin e Shteteve të
Bashkuara në NATO. Në vitin 1966, Franca, zyrtarisht u tërhoq nga forcat e armatosura të Aleancës dhe përjashtoi forcat e NATO-s dhe zyrën e saj nga vendi i saj.
Franca
Mirëpo Franca mbeti anëtare politike e NATO-s nga frika e ndonjë "agresioni të paprovokuar". Pas fitores së Luftës së Ftohtë pa shkrepur asnjë fishek, në vitin 1991 NATO-ja filloi transformimin e saj nga një aleancë për mbrojtje nga sulmi bërthamor rus, në një aleancë paqeruajtëse dhe themeloi të ashtuquajturin Partneritet për Paqe duke pranuar një varg shtetesh ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë. Luftën e parë domethënëse kundër një "shteti sovran" NATO-ja e zhvilloi për Kosovën kundër Serbisë, kur më 23 mars, i dërguari i Shteteve të Bashkuara, Riçard Hollbruk, dështoi në përpjekjen e tij të fundit për ta bindur Sllobodan Millosheviçin që ta pranonte planin e paqes të përgatitur nga Perëndimi - pra autonomi për Kosovën dhe zbarkim të forcave të NATO-s për ta garantuar autonominë në fjalë. Kur Millosheviçi refuzoi, atëherë presidenti Klinton autorizoi sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, që të fillonte fushatën e sulmit ajror, që zgjati 78 ditë para se Beogradi të kapitullonte. Para luftës për Kosovën, NATO-ja gjithashtu për herë të parë arriti që të organizonte të ashtuquajturin operacion të Forcës Implementuese (IFOR) më 1995-n në Bosnjë për zbatimin e Paqes së Dejtonit. Po qe se besohet në teorinë "paqe përmes forcës" të njërit nga presidentët amerikanë, atëherë zgjerimi i NATO-s është çështje kohe. Dhe kjo jo vetëm për shkaqe sigurie në rrafshin ushtarak, por edhe në atë ekonomik.
Rusët
Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, NATO-ja i ka kushtuar rëndësi të veçantë zhvillimit të marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunuese me Rusinë. Gjatë dhjetë viteve të kaluara, NATO-ja dhe Rusia ia kanë dalë të arrijnë progres të ndjeshëm në zhvillimin e partneritetit të vërtetë dhe të tejkalojnë mbeturinat e konfrontimit dhe të konkurrimit të mëhershëm me qëllim të forcimit të besimit dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë. Që nga vitit 1991, Aleanca dhe Rusia kanë punuar bashkë në një numër çështjesh të ndryshme që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen. Në vitin 1994, Rusia iu bashkua Programit të Partneritetit për Paqe, duke e shtuar më tej dialogun e gjerë NATO-Rusi që po dilte në dritë. Pjesëmarrja e Rusisë në zbatimin e Marrëveshjes së Paqes për Bosnjën e Hercegovinën ishte një hap veçanërisht i rëndësishëm drejt një relacioni të ri bashkëpunues. Për herë të parë, kontingjentet aleate dhe ruse punojnë krah për krah në një operacion shumëkombësh. Me nënshkrimin e Aktit Themelues NATO-Rusi mbi Marrëdhëniet e Ndërsjella, Bashkëpunimin dhe Sigurinë në maj të vitit 1997, NATO dhe Rusia kanë institucionalizuar dhe e kanë shtuar ndjeshëm partneritetin e tyre. Ato u angazhuan ta çonin më tej zhvillimin e marrëdhënieve të tyre mbi bazën e interesit të përbashkët dhe krijuan një forum të ri për ta arritur këtë synim: Këshillin e Përhershëm të Përbashkët NATO-Rusi (PJC).
4 Prill 2008