Koln transferon Roshin

Odise Roshi është futbollist i ri i Kolnit. Futbollisti i deritashëm i Flamurtarit të Vlorës ka nënshkruar kontratë me ekipin nga Bundesliga gjermane.
19 vjeçari vëzhgohej prej një kohe nga Kolni, ndërsa zyrtarizimi i transferimit të tij ka arritur të enjten. Përfaqësuesi U21 i Shqipërisë do të luajë përkrah yllit gjerman, Lukas Podolski. Drejtori sportiv i Kolnit, Volker Finke, ndihet i kënaqur që ky klub ia doli ta transferojë futbollistin nga Fieri.
“Jemi të nderuar që ishim në gjendje ta realizojmë transferimin e Odise Roshit. Ai është talent dhe me një të ardhme të ndritshme. Me kualitetin e tij na ka bindur të gjithë neve këtu. Ai është lojtar krahu ofanziv. I ka demonstruar cilësitë e tij si në ekipin U21 të Shqipërisë, ashtu edhe në kampionatin shqiptar, ku sivjet është shpallur nënkampion me ekipin nga Vlora”, tha Finke për ueb faqen zyrtare të klubit.
Ky i fundit beson se Roshi, me aftësitë e tij, mund ta bind trajnerin e ri të klubit, Stale Solbakken, që të llogaritë në të sezonin tjetër. Odise Roshi të dielën mbush 20 vjet. Ai e ka model të lojës së tij Cristiano Ronaldon. ‘Odi’ është i gjatë 187 cm dhe peshon 78 kg.
Ai e kishte nisur karrierën në Apoloninë e Fierit në vitin 2006, ndërsa nga viti 2009 ishte pjesë e Flamurtarit, me të cilin e fitoi Kupën e Shqipërisë dhe mori pjesë ne kualifikime për Ligën e Kampionëve.