E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolonjë, arrestohet zjarrvënësi i pyllit të Borovës

Bariu Llambi Tota i ka vënë zjarrin një peme por më pas flakët janë shpërndarë në të gjithë pyllin

KOLONJË- Një 53- vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë pasi i ka vënë zjarrin një hektari pyll në zonën e Kolonjës. Falë ndërhyrjes në kohë të forcave zjarrfikëse, pas informacioneve të ardhura nga banorët e zonës, është shpëtuar krejt pylli, dëmi i të cilit mund të përllogaritej ndër më katastrofikët në rrethin e Kolonjës. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Korçë, mësohet se zjarr vënia ka ndodhur në orën 13.00 të një dite më parë, kur Llambi Tota i cili punon si bari, për arsye ende të panjohura ka vendosur të shkrumbojë një pjesë të pyllit të Borovës. Ai është një nga pyjet më të bukur me dru lisi, por dhe shkozë dhe dëllinje. 53- vjecari që ishte me bagëtinë e tij i ka vënë zjarrin një peme, ndërsa në mënyrë të rrufeshme flakët e zjarrit të ndihmuar dhe nga era e fortë kanë djegur më shumë se një hektar pyll. Por duket se zjarri i cili nuk ka qenë shumë larg fshatit ka vënë në alarm banorët e tij, të cilët kanë kërkuar dhe ndihmën e policisë lokale. Për fat të mirë, mjetet zjarrfikëse, pavarësisht terrenit të vështirë malor, kanë mbërritur në kohë pranë vatrës së zjarri duke bërë të mundur fikjen e tij vetëm pas plot pesë orë pune. Madje dhe banorë të fshatit të lartpërmendur kanë ndihmuar në evitimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Pasi puna me flakët ka mbaruar, policia e Kolonjës ka nisur hetimet, ndërsa ka mundur të zbulojë dhe identitetin e piromanit që ka qenë shkaktar i kësaj situate të rënduar. Ai akuzohet për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr, ndërkohë që nuk ka pranuar të ishte ai autor i ngjarjes në fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›