Hetim kosovarëve, falsifikuan vjedhjen e makinave
DURRËS- Dy shtetas kosovarë kanë bërë një denoncim në policinë e Durrësit se u janë vjedhur mjetet e tyre të shtrenjta me të cilat kishin ardhur për të pushuar në Durrës por më pas ka qenë policia ajo që i denoncon në prokurori për kallëzim të rremë. Ngjarja e ka zanafillën 12 ditë më parë kur në policinë e Durrësit janë paraqitur mjaft të shqetësuar dy shtetasit kosovarë Vedi Reçi dhe Arsim Fazlliu, që të dy banues në Kosovë. Ata kanë bërë denoncimet përkatëse për vjedhjen që u ishte bërë dy mjeteve “Mercedes Benz” me targa “318 KS 364” dhe “707 KS 707”. Ata kanë theksuar dhe orën e vjedhjes që u ishte bërë mjeteve të tyre gjatë kohës së plazhit si dhe vendin ku ishin parkuar dhe nuk ishin gjendur më pasi, sipas tyre, iu ishin vjedhur. Si vend të vjedhjes ata kanë cilësuar në proces verbalet e arkivuara në polici lagjen 13, e cila përfshin rajonin e plazhit të Durrësit dhe ku gjatë korrik gushtit kanë ndodhur disa vjedhje makinash ende të pazbuluara. Inspektoret e policisë, theksojnë burimet, e vlerësuan me seriozitet këtë denoncim dhe u vunë në lëvizje për të bërë të mundur gjetjen e mjeteve të vjedhura të miqve kosovarë. Pas disa ditësh, burimet e informacionit që ata po përpiqeshin të vinin në funksion, rezultonin të shurdhëta lidhur me fatin e dy makinave të denoncuar si të vjedhur. Pasi u konsumuan te gjitha pistat e mundshme për gjetjen e tyre, organet e specializuara i u drejtuan pikave të kalimit kufitar nga ku ishin deklaruar dy kosovarët se kishin hyrë në Shqipëri. Përgjigjet e autoriteteve doganore treguan se këto mjete nuk kishin hyrë në vend kalimet e deklaruara nga Reçi dhe Fazlliu. Pas kësaj specialistët e Seksionit të Luftës kundër Krimeve ndaj Pronës verifikuan të gjitha vendkalimet e mundshme kufitare si të Malit të Zi, Kosovës e të shtetit Maqedonas por edhe ato rezultuan se të dy mjetet e denoncuara nuk kishin kaluar në drejtim të shtetit Shqiptar siç dhe kishin deklaruar dy kosovarët. Pas këtyre verifikimeve të argumentuara zyrtarisht, inspektoret e krimeve nuhatën se deklarimet e mjeteve si të vjedhura, ishin bërë nga të dy shtetasit kosovarë për efekte denoncimi me qëllim që të përfitonin siguracionet në Kosovë, pasi të ktheheshin atje. Hetuesit shpjeguan se kjo rrugë përdoret zakonisht nga spekulantë në shtetet fqinjë të Italisë dhe Greqisë. Tashmë dy shtetasit kosovarë nuk do të kenë mundësi të largohen nga vendi deri sa të zbardhet çështja nga prokuroria.