Kolonjë, plagoset me armën e gjahut të të atit, rëndë 16 vjeçarja
Ka qenë duke pastruar armën e gjahut të babait të saj, pasi e ka intriguar çiftja, teksa ka mbetur e përgjakur në shtëpi. Ngjarja e rëndë është regjistruar gjatë orëve të pasdites të kaluar në fshatin Kaduç të Ersekës. Xh. Nure, 16 vjeçe, ka qenë vetëm duke kryer punët e shtëpisë, ndërsa ka patur dëshirë të pastrojë dhe armën e gjahut të babait të vet, ashtu si vepron dhe ai kur e pastron.
Adoleshentja prekte për herë të parë armë në jetën e vet, duke rrezikuar seriozisht jetën. Ajo e ka marrë çiften për ta pastruar por nuk ka menduar se ajo ishte e mbushur. Arma për fat të keq ka kryer një shkrepje të pavullnetshme duke lënë të plagosur në vend 16- vjeçaren. Krismat e çiftes kanë sjellë me urgjencë në shtëpinë e Fazlli Nures fqinjët, të cilët kanë njoftuar të tmerruar prindërit e vajzës, ndërkohë që e kanë ndihmuar të plagosurën ta transportojnë fillimisht për në spitalin e qytetit të Ersekës. Pas ndihmës së parë në këtë spital nisur dhe nga gjendja e rënduar shëndetësore e Xh. Nures mjekët kanë vendosur ta çojnë drejt spitalit rajonal të Korçës. Mjekët e këtij spitali kanë bërë të ditur për gazetën se vajza nuk e ka kaluar ende rrezikun për jetën pas ngjarjes aksidentale që i ka ndodhur me armën, e cila i ka shkaktuar dëmtime serioze në mushkri.