E Diel, 1 Nëntor 2026

Filumena Marturano rikthehet dramaturgu Eduardo De Filipo

Më datë 19 prill në sallën Kadri Roshi të Teatrin Kombëtar do të rishfaqet komedia Filumena Marturano, kryevepra e dramaturgut, aktorit dhe regjisorit italian, Eduardo de Filipo. Në këtë komedi tregohet historia e Filumena Marturano, një ish-prostitutë që jeton prej njëzet e pesë vjetësh si gruaja e pakurorëzuar e Domeniko Sorianos, një napolitan borgjez dhe i kamur. Filumena ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh , ajo e detyron atë të martohet me të zyrtarisht duke bërë gjoja sikur të ishte në prag të vdekjes. Domeniko Soriano pranon të martohet. Por gjithçka ishte vetëm një lojë e saj. Filumena e zbulon arsyen e kësaj loje, ajo dëshiron tu japë një mbiemër tre fëmijëve të saj, atë të D.Sorianos. Regjisor i shfaqjes është Artisti i Merituar Albert Minga, ndërsa
në rolet kryesore interpretojnë aktorët; Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Artistja e Popullit Tinka Kurti, Vangjel Toçe, Olta Gixhari, Neritan Liçaj, Gjergji Mena, Arben Derhemi, Fadil Kujofca, Nigela Ruka etj. Skenografia dhe kostumet janë përgatitur nga mjeshtri i skenës, Artisti i Popullit, Agim Zajmi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›