E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri grek Karamanlis, në Tiranë

Nga Shpëtim ZINXHIRIJA
Athinë- Media e shkruar vendase (Kathimerini) me dy rreshta thekson se kryeministri grek, Kostas Karamanlis do të bëjë një vizitë dy ditore (26-27 prill) në Tiranë, duke mos dhënë asgjë më tepër. Nga zëdhënësi qeverisë, ende nuk bëhet fjalë për axhendën e bisedimeve që do të bëhen gjatë takimit me homologun e tij Sali Berisha. Një takim krejt i papritur për Karamanlisin në Tiranë ka shumë për të thënë. Nga politika e Greqisë, ky takim është planifikuar që të bëhet në një kohë, kur kolltuku i kryeministrit grek ka muaj që po tronditet nga dhuna, krimi, korrupsioni qeveritar, kriza ekonomike dhe politika e brendshme. Karamanlisi vjen në Tiranë kur qeveria e tij po tronditet nga skandalet e njëpasnjëshme dhe po përballet me kritika të ashpra të opozitës PASOK, që ndodhet sot 5 për qind më shumë nga qeveria Karamanlis. Skandalet dhe korrupsioni po e detyrojnë atë për të shkuar në zgjedhjet e parakohshme. Më shumë se kurrë qeveria e Karamanliut po përballet me krimin e organizuar, një problem primar për qeverinë dhe mbarë politikën vendase. Hedhja në terren të 3.000 policëve si dhe 300 motoçiklistëve të ruajtjes se rendit, ende nuk po vendosin qetësinë popullit vendas. Ai do të bëjë vizitë në Tiranë pasi diplomacia e jashtme e Greqisë, ka probleme si me Maqedoninë, ashtu edhe me Turqinë. Kthimi i kurrizit nga kancelarja gjermane Angela Merkel në Strazburg në përshëndetjen e rastit, si dhe vizita e presidentit Barak Obama në Turqi, si dhe mos vazhdimi i tij në Greqi, padyshim kanë sjellë pakënaqësinë në politikën greke. Tashmë Greqia pas futjes së Shqipërisë në NATO, tenton kthimin e vërtetë të një fqinjësie të mirë me Shqipërinë, kërkon një aleatë të vërtetë, pasi edhe për momentet se dy kryeministrat janë me pikpamje të djathta. Koha tregoi se, Karamanliu dhe qeveria e tij ishin të fundit që miratuan MSA, kur më parë kishin deklaruar se do të ishin të parët në miratim. Futja e vendit tonë në NATO, si një sukses i popullit shqiptar, nuk u trajtua nga media greke, por vetëm me tre reshta në ndonjë gazetë të vetme. Takimi i Karamanliut me homolugun Berisha ka mundësi të sjellë edhe të pa pritura për politikën shqiptare, asgjë nuk mund të përjashtohet. Ulja në tavolinë për bisedime këtë radhë ka një ndryshim me të kaluarën, pasi Shqipëria do të jetë përballë Greqisë si e barabartë. Karamanliu këtë gjë e ka të qartë, se futja e vendit tonë në BE, mund të ndikojë që Shqipëria të jetë një protagoniste re, të luajë një rol të rëndësishëm në Ballkan. Greqia si një vend i vetëm ballkanik në BE, i kishte të gjitha mundësitë qe të luante këtë rol, por ajo për arsye të ndryshme nuk e bëri këtë gjë, duke humbur shansin më të mirë për gati 28 vjet. Politikës shqiptare midis të tjerave do ti kërkohet si gjithnjë të drejtat e minoritareve, kthimi i të burgosurve shqiptar nga Greqia për të vazhduar dënimin në vendin e tyre, si dhe shtrirja e biznesit grek në Shqipëri. Politika shqiptare ka rastin më të mirë për tu kujtuar fqinjëve tanë se futja e Shqipërisë në NATO, ultimatisht ka hequr një here e përgjithmonë Ligjin e luftës, kështu që hapet rruga për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë te pronave të çamëve si nga ana politike ashtu edhe juridike. Emigracioni shqiptar në Greqi ka qenë për vetë grekët, një gur shahu kundrejt politikës shqiptare. Edhe sot mijëra emigrantë jo vetëm keqtrajtohen, por akoma mbahen të izoluar nga ligjet e këtij vendi. Kryeministri shqiptar ka rastin që ti kërkojë homologut të tij trajtimin më të mirë të biznesit shqiptar në Greqi, pasi janë të gjitha kushtet që të trajtohet njëlloj, siç trajtohet biznesi grek në Shqipëri. Një problem kryesor është se emigrantëve në Greqi nuk u njihen vitet e punës së punuara për pension, njëkohësisht që fëmijëve tanë u mungon mësimi i gjuhës mëmë. Në Greqi punojnë dhe jetojnë rreth 800.000 shqiptarë, ku 20.000 prej tyre kanë hapur bizneset e tyre, si dhe 80.000 të tjerë kanë blerë shtëpi. Futja e Shqipërisë në NATO, i siguron qeverisë greke akoma një siguri për investime të mëtejshme.
Kush është kryeministri grek
Ka lindur në Athinë, në shtator të 1956. Kosta Karamnli është kryeministri i Greqisë që nga 7 marsi i 2004. Është kryetar i partisë Demokracia e Re që nga viti 1997, ku mori partinë nga Miltiadi Evert. Është një nga të vetmit kryeministër i vendit për sa i përket moshës se re, qe ka lindur mbas luftës së dytë botërore. Është i martuar me Natasa Pazajti në vitin 1998, që nga viti 2003 është baba i dy fëmijëve. Në vitin 2007 u rizgjodh kryeministër me votime të parakohshme. Ishte anëtar i rinisë së partisë ONNED, ku ishte përgjegjës për organizatat e rinisë që nga vitet 1974-1979. por është marrë edhe me krijimtari. Ka lindur në Athinë, në shtator të 1956. Ka mbaruar studimet e larta për drejtësi, si dhe ka studiuar edhe në universitetin Tufts në SHBA. Që nga viti 1984-1989 ka punuar avokat, si dhe ka bashkëpunuar me revistën Ikonomikos Takidromos. Në Qershor të 1989 është zgjedhur për të parën herë deputet në qytetin e Selanikut. Ka punuar sekretar i kryetarit të Parlamentit për vitin 1989. Më 1994 është zgjedhur në Këshillin Drejtues të Partisë Demokracia e Re. Në qershor 2002, u zgjodh kryetar i Bashkimit Demokratik Ndërkombëtar.Në vitin 2001 u emërua nga ELK, Kryesues i Iniciativës për Demokraci në Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2003, u emëruar Kryetar i Forumit të Evropës. Më 7 mars 2004, fiton Demokracisë së Re, fitues në zgjedhjet parlamentare me 45,36% për qind, duke siguruar shumicën parlamentare 164 vende nga 300 vende. Ai mori mandatin për të formuar qeverinë nga Presidenti i Republikës, më 10 mars dhe u betua para presidentit si  kryeministër dhe ministri i Kulturës. Në zgjedhjet parlamentare të 16 shtator 2007, Demokracia e Re, me  41,83% për qind, ku siguroj  152 vende. Më 19 shtator mori mandatin për të formuar qeverinë e re nga Presidenti, si dhe betua përsëri për kryeministër. Karamanlis u zgjodh me premtimin për të ndjekur reforma strukturore në ekonominë greke dhe shteti grek, që konsiderohen shumë të nevojshme nga ana e FMN-së, pas shqyrtimit të tyre të Ekonomisë e Greqisë në vitin 2000. Ka qenë përballë kritikave të ashpra gjatë zjarreve të vitit 2007, ku u dogjën qindra e mijëra hektarë si dhe gjetën vdekjen 67 vendas. Po ashtu qeveria e tij është përballur edhe me akuzat për rrëmbimin e 28 pakistanezëve nga shërbimet sekrete greke në bashkëpunim me homologët britanik, ku u kërkua edhe dorëheqja e ministrit të rendit Jorgo Vulgarakis. Gjithashtu organizmat për të Drejtat e Njeriut kërkuan edhe largimin e tij si kryeministër. Ai dhe kabineti i tij është kritikuar rëndë, për trazirat të cilat filluan pas vrasjes së 16 vjeçarit Aleksandros Grigoropoulos nga një oficer i policisë. Po me gjithë këto kritika është i vetmi kryeminisër grek, për të cilin deri më sot nuk është thënë asnjë fjalë për personalitetin e figurën e tij. Ai nuk është mpleksur në asnjë nga skandal e korrupsion. Qendron si një nga figurat më të pastra të politikës greke, ku dhe në qoftë se humb zgjedhjet parlamentare, 76 për qind e duan përsëri në krye të partisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›