E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolumbia dhe Belize njohin pavarësinë e Kosovës



Kosova ka shtuar numrin e shteteve që njohin pavarësinë. Kolumbia dhe shteti i Belizes në Amerikën Qëndrore konfirmuan njohjen e shtetit të Kosovës. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme Kolumbiane thuhet se Kolumbia njeh Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, me synimin që të vendosë marrëdhënie diplomatike. Kolumbia dëshiron të mbajë marrëdhënie tradicionale me Serbinë gjithashtu. Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka marrë dje një letër nga Qeveria e Belizesë, me anë të së cilës njoftohet që ky vend e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. “Qeveria e Belizesë njeh Kosovën e pavarur si shtet sovran dhe e mirëpret atë si anëtare të re në bashkësinë ndërkombëtare. Belize i bashkohet kështu numrit të madh të shteteve që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”,- thuhet ndër të tjera në këtë letër. Po ashtu në letrën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Belizesë thuhet se “ne e përkrahim përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar plotësisht me bashkësinë ndërkombëtare gjatë periudhës së mbikëqyrjes ndërkombëtare, për të cilën ajo është pajtuar dhe të sigurojë promovimin dhe mbrojtjen e të gjitha të drejtave të njeriut duke përfshirë të drejtat themelore të të gjithë njerëzve përfshirë edhe grupeve minoritare”.

8 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›