Rusia dhe Britania debatojnë në KS për ndërhyrjen në Mitrovicë
Këshilli i Sigurimit në Nju Jork është përballur me debatin e Rusisë dhe Britanisë për ndërhyrjen e policisë së UNMIK-ut dhe KFOR, në Gjykatën Komunale në veri të Mitrovicës, ku gjeti vdekjen një polic Ukrainës. Ambasadori rus në OKB, Vitali Çhurkin e ka konsideruar “të pajustifikueshëm” vendimin e marrë nga krerët e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) për të përdorur forcën kundër protestuesve serbë të cilët kundërshtonin shpalljen e pavarësisë të Kosovës në shkurt. Ai akuzoi UNMIK-un për ngutje “në këtë vendim të provokuar”. “Është e rëndësishme të ngrihet kjo çështje me Sekretarin e Përgjithshëm dhe ta pyesim atë nëse mendon të marrë masa ndaj përgjegjësve, masa disiplinore kundër atyre njerëzve që drejtonin UNMIK-un në atë moment”,- ka thënë Çhurkin. Ai gjithashtu shprehu keqardhjen se një raport i brendshëm i OKB-së mbi këtë çështje nuk u ishte shpërndarë vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Mendim të kundërt me përfaqësuesin e Rusisë ka shprehur zv.ambasadorja britanike Karen Pierce e cila nguli këmbë se “veprimet e UNMIK-ut ishin profesionaliste”, gjatë këtij incidenti. “Ky ishte një sulm i paramenduar mbi personelin ndërkombëtar në Kosovë”,- tha ajo. “Pretendimi se ishte një demonstrim paqësor të cilit UNMIK-u iu përgjigj me dhunë unë mendoj se nuk është korrekt”. Mitingu në Mitrovicë në muajin mars u kthye në një protestë të dhunshme pasi policia e OKB-së u përpoq të shpërndante një grup protestuesish serbë të cilët kishin pushtuar për 3 ditë zyrat e gjykatës komunale në këtë qytet. Pasi policia ndaloi rreth 50 serbë, qindra banorë nga pjesa veriore e Mitrovicës e populluar nga serbët sulmuan një karvan të forcave të sigurisë dhe liruan disa nga të burgosurit. Gjatë këtij incidenti të rëndë gjeti vdekjen një polic nga Ukraina dhe më shumë se 150 vetë u plagosën.
Pavarësia e Kosovës është njohur nga shumë vende perëndimore por Serbia dhe serbët e Kosovës të mbështetur nga Rusia e kundërshtojnë dhe e konsiderojnë si të paligjshëm këtë vendim.
8 Gusht 2008