E Diel, 1 Nëntor 2026

Kom. i Ligjeve: Disa anëtarë nuk plotësojnë kushtet për tu zgjedhur

Prishtinë - Komisioni Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Bahri Hyseni, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, duke vlerësuar se disa nga kandidatët, sipas Ligjit për dhënien e provimit të jurisprudencës, nuk i plotësojnë kushtet të zgjidhen anëtarë në këtë komision.

Duke e shqyrtuar, ndërkaq, vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për propozimin e anëtarit në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe vendimin e Kryesisë së Shoqatës së Prokurorëve Publik të Kosovës për propozimin e anëtarit të kësaj shoqate në këtë këshill drejtues, anëtarët e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi kanë vlerësuar se kandidatët e propozuar i plotësojnë kushtet për t’u emëruar anëtarë, prandaj i rekomandojnë Kuvendit që propozimi edhe të miratohet.

Komisioni po në këtë mbledhje ka shqyrtuar edhe përfundimin e Kryesisë së Kuvendit, lidhur me Rezolutën e propozuar kundër krimeve të komunizmit, duke ia përcjellë atë Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit, për të vlerësuar implikimet eventuale buxhetore nga kjo rezolutë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›