E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësi i kambistit e kishte plagosur dhe disa muaj më parë

Autori Dilaver Adushaj ishte kthyer një ditë më parë nga Greqia dhe nuk i kishte lajmëruar të afërmit. Në momentin e arrestimit ai ishte në gjendje depresive

FIER Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku 25-vjeçari Dilaver Adushaj qëlloi me thikë për vdekje kambistin Ethem Spahia, gjatë marrjes në pyetje është vërtetuar se autori i dyshuar ka ardhur në ditën e djeshme prej shtetit fqinj Greqi. Policia ka konfirmuar kalimin e tij në pikën kufitare të Kakavijës, kalim nga Greqia në drejtim të Shqipërisë. Po të njëjtat burime thanë për “Mapo”-n se Adushaj dyshohet të jetë autori edhe i plagosjes së disa muajve më parë të kambistit, plagosje e cila u krye sërish me thikë, në shpatullën e djathtë të viktimës. Autori ka pranuar krimin e kryer, ndërsa ende janë të pasqaruara rrethanat dhe shkaqet që e sollën atë nga Greqia në Fier për të kryer këtë krim. Mësohet se ai u ka telefonuar të afërmeve të tij se po vinte nga Greqia dhe se ata të mos e prisnin se do të vinte vetë në familje. Autori Dilaver Adushaj është i martuar dhe me fëmijë.

Policia ka dhënë në mbrëmjen e djeshme në orët e vona një deklaratë për shtyp, duke identifikuar autorin dhe identitetin e tij. Sipas policisë, ai është Dilaver Adushaj, 25 vjeç, banor i qytetit Roskovec. E njëjta deklaratë ka vijuar më tej duke dhënë faktin se vrasja e kambistit është kryer për motive të dobëta, duke mos përmendur asnjë shumë të hollash të rrëmbyera nga autori, gjatë kryerjes së krimit prej tij. Ndërkohë që burime të pakonfirmuara nga blutë e Fierit kanë pohuar se autori është marrë gjatë gjithë natës në pyetje prej specialistëve të grupit të hetimit ngritur për këtë çështje. Sipas këtyre burimeve, autori i dyshuar ka patur fillimisht probleme shëndetësore për shkak të ngarkesës së tij emocionale. Atij i është dhënë ndihma e parë prej bluzave të bardha fierake. Ndërsa gjatë Dosja në ngarkim të tij është plotësuar dhe dërguar në mesditën e së hënës në organin e akuzës Fier dhe pritet që gjykata Fier të vlerësoj masën e arrestit ndaj tij deri në përfundimin e plotë të hetimeve gjyqësore. Ditën e diel autori nuk ka dashur të dorëzohej, ndërsa ka mbajtur nën ankth forcat e policisë, duke deklaruar se do të vetëflijohej me armën e ftohtë të krimit, armë të cilën e mbajti nën fyt për më shumë se një orë, derisa u dorëzua në duart e forcave të shumta të policisë, që morën pjesë në aksionin për arrestimin e tij. Autori i dyshuar u arrestua një orë e gjysmë pas ngjarjes së rëndë, ku ai goditi me thikë në fyt kambistin Ethen Spahia 60 vjeç

Familja

Në familjen e të ndjerit që në mbrëmjen e djeshme ishte hapur zia. Familja e viktimës banon në një lagje periferike të qytetit, në një ndërtesë dykatëshe private, në rrugën që të çon në zonën e Krapsit Qindra qytetarë, të afërm, kolegë i kanë dhënë lamtumirën e fundit viktimës, trupi i pajetë është dërguar për në banesën e fundit në orën 14.00 të ditës së hënë, në varrezat e fshatit Cakran, në vendlindjen e tij. Askush nga familjarët nuk ka komunikuar me median. Ndërsa edhe në lidhje me identitetin e autorit të dyshuar për ngjarjen, i kapur tashmë prej policisë fierake, disa prej të afërmeve të viktimës kanë pohuar se nuk e njohin dhe se nuk e kanë parë asnjëherë në jetën e tyre. Edhe dyshime të ndryshme të hedhura nga të afërm gjatë ngushëllimit për një vrasje të organizuar nga më shumë se një person, është hedhur poshtë nga të tjerë të afërm, të cilët deklaruan se pas ikjes së njeriut të dashur, babait të tre fëmijëve, nuk kanë më shumë se ç’të flasin, ndërsa është drejtësia ajo që duhet të vendosë dhe të japë dënimin për autorin që i shkaktoi këtë dhimbje dhe këtë mort të pakuptimtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›