Komandot shqiptare kontribuese të paqes dhe sigurisë në botë
Historia e njësisë elitë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë
TIRANE - Regjimenti "Komando", si njësi elitë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ka kontribuar dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në vendet ku ajo ka qenë e kërcënuar.
Komandot filluan të kontribuojnë për paqen dhe sigurinë jashtë kufijve të vendit në vitin 2000, me një nënrepart në përbërje të forcës ndërkombëtare SFOR, në Bosnje-Hercegovinë. Ky mision vazhdoi deri në vitin 2003 dhe në të shërbyen rreth 400 komando shqiptare.
Ndërkohë që Komandot vazhdonin t'i kontribuonin paqes dhe sigurisë në Bosnje, demokracia dhe rendi botëror u kërcënuan nga terrorizmi. Pjesë e përpjekjeve globale për t'u përballur me këtë kërcënim u bë edhe vendi ynë dhe në këtë kuadër, një formacion nga batalioni i operacioneve speciale, iu bashkua drejtpërdrejtë këtyre përpjekjeve në vitin 2002, në përbërje të Forcës Ndërkombëtare ISAF, në Afganistan.
Ky mision u krye nga regjimenti komando deri në vitin 2004, për t'u vazhduar nga një njësi tjetër e FA.
Në prill 2003, në zbatim të vendimit politik të Kuvendit të Shqipërisë për t'u bërë pjesë e "Koalicionit të Vullnetit", të drejtuar nga SHBA, një formacion "Komando" iu bashkua këtij koalicioni në operacionin "Liria e Irakut".
Disa kontingjente paqeruajtëse u nisën gjatë vitit 2008 në kuadër të operacioneve ushtarake "Liria e Irakut", dhe u vendosën në Mosul dhe Bagdat. Kontingjenti i vendosur në Bagdad mbërriti sot në aeroportin e Rinasit, ndërsa ai i Mosulit pritet të mbërrijë javën e ardhshme, duke i dhënë fund kontributit të forcave tona në këtë vend.