Pasqyra e thyer sjell ters
Është krejt normale të urresh pasqyrën për pamjen e përçudnuar që ajo të tregon. Është gjithashtu krejt normale ta fajësosh pasqyrën për atë çka të dëshmon kur ndodhesh përballë saj. Por është plotësisht anormale ta thyesh atë në shenjë urrejtjeje dhe shfajësimi për atë çfarë je në të vërtetë. Ndodh kështu, edhe pse në “hierarkinë” e terseve, thyerja e pasqyrës konsiderohet një nga kryeterset më të rënda që paralajmëron veç zi.
Historia e konfliktit mes gazetës “TemA” dhe kryeministrit është në thelb historia e një marrëdhënieje dashuri-urrejtjeje mes shtypit dhe individit me fuqi politike, një histori me shumë të panjohura mes dy pjesëve që kundërshtojnë njëra-tjetrën, që janë në simbiozë të vazhdueshme dhe që nuk mund të jetojnë pa njëra-tjetrën. Historia e vjetër e këtyre marrëdhënieve mes këtyre dy poleve, tashmë të larguar në ekstrem, ka qenë e shenjuar nga një afërsi ekstreme; një nga shembujt e shumtë që vërtetojnë se urrejtjet më të thella nisin aty ku për një mijë e një arsye mbaron miqësia. Por nuk është ky rasti për të kujtuar të shkuarën, kur e sotmja ofron një tablo të zymtë të asaj çka është krejt normale: një media serioze është në gjenin e saj opozitare për cilindo pushtet. Tragjedia e Gërdecit, skandali i rrugës Durrës-Kukës, komedia e shëmtuar me sekserin serb dhe milionat e tenderave të KESH, çuditë me medikamentet e të tjera, kanë qenë disa nga temat e “TemA”-s që shënjojnë armiqësinë e sotme me Berishën.
Kështu ka ndodhur me gazetën “TemA” gjatë tetë vjetëve qeverisje të socialistëve dhe tani, pavarësisht motiveve të ndryshme, kështu po ndodh dhe me pushtetin dhe qeverisjen e Berishës. Me fjalë të tjera, gazeta është në misionin e saj natyral, kurse Berisha ka dalë dhe njëherë në natyrën e tij të vërtetë. Ka dalë sërish në keqkuptimin e madh që rrjedh nga botëkuptimi i tij tipik komunist, që nëse nuk bëhesh miku i tij, je padyshim armiku i tij. Dhe me armiqtë Berisha ka vetëm një vijë sjelljeje, luftën dhe absolutisht jo bashkëjetesën. Individi në pushtet, Berisha, pastaj është në gjendje të përdorë të gjithë forcën që i jep pushteti në këtë luftë duke dëshmuar pikërisht krejt të kundërtën e mesazhit që ai mendon se jep. Jo forcën, por dobësinë ekstreme, jo xhentëlmenin, por dorasin që qëllon nga pas ferrës me “vrasës” me pagesë. Një ngulm i verbër e shtyn atë drejt hapit të fundit që nis që me rreshtimin e gjithë të tijve që ka ende nën hyqëm: “kush do të më dëshmojë miqësi, të bëhet armik me armikun tim”. Dhe kjo gjë është një nga shenjat më të hapura, më domethënëse të pafuqisë së tij, të mentalitetit të tij prej komunisti të prerjes së vjetër. Kjo është një nga shenjat e pagabueshme që e rikthen atë në origjinë, kur burgoste gazetarë, kur digjte redaksi gazetash, kur e shndërronte ekranin e vetëm televiziv në një çiflig të vockël, kur përdorte median që kontrollonte si shpatë për të prerë gjuhët që nuk i pëlqenin.
Sulmi në bllok ndaj gazetës “TemA”, në të vërtetë, tregon vetminë e thellë të pushtetit të sotëm. Në vend të ballafaqimit normal për një sërë skandalesh, të cilat kanë gjetur te kjo gazetë një dritare për t´iu dëshmuar publikut, në vend të sqarimit, në vend të përgënjeshtrimit, ai zgjedh të përdorë policinë me uniformë dhe policinë tjetër me kostume të firmuar për të fituar një betejë të radhës me median. Një betejë që, pavarësisht rezultatit të momentit të parë, ka të pandryshueshme rezultatin final të vetë luftës: humbjen.
Berishët do të humbasin jo për faj të pasqyrës që iu tregon formën, përmasën dhe babëzinë e babëzisë së tyre. Thyerja e saj e përkohshme është tersi i tyre. Është shenja e keqe që tregon se uji i turbullt po përmbys një varkë që lundron mbi kataraktin e të nesërmes. Shkofshin me shëndet! Është zgjedhje e tyre. Është modeli i vetëm që nuk duhet zgjedhur. Qoftë dhe për këtë model që Berisha ka krijuar për politikanin shqiptar, ia vlen që ai të kujtohet gjatë, që ai të tregohet si pragu që duhet kujtuar për të mos u harruar.