Kambana e fundit
Rënia e fundit e kambanës qeveritare gjatë muajit dhjetor shënoi edhe fillimin e betejës fizike mes qeverisë “Berisha” dhe gazetës “TemA”. Qeveria vendosi të heqë dorashkat dhe nxori një urdhër që detyron gazetën të braktisë premisat për hir të sigurisë kombëtare të kartave të identitetit, që për hir të së vërtetës duhet të pranoj se s’mendoja se do t’i arrija ndonjëherë, me gjithë moshën relativisht të re.
Këta “tinguj” vijnë nga “kambana” e kryeministrit që premtoi se s’do të hapte kurrë gjyqe me gazetarët. Në fillim të gjithë menduan se ky ishte një premtim me natyrë demokratike për të respektuar median, por realiteti tregon se ky qëndrim në të vërtetë nënkuptonte se qeveria s’do t’u linte gazetarëve as të drejtën bazë të gjyqit. Në të vërtetë, premtimi kryeministror premtonte se goditjet ishin aq të rënda, sa gazetarët s’do të orientoheshin dot për të gjetur derën e gjykatës.
Dhe këtë e treguan veprime si gjobat prej miliona eurosh dhe së fundi vendimet për ta mbyllur “pa çak, pa bam” një media të tërë me justifikime që kanë dekada e sisteme pa u përdorur.
Gazeta “TemA” kishte kohë që nuk e ndiqte korin qeveritar, që pas Gërdecit, Fazlliçit dhe problemeve të tjera nuk këndonte “Mea Culpa”, por “Shteti jam unë”. Por, për kryeministrin dhe qeverinë blasfemia e gazetës rëndohet edhe nga fakti që kjo gazetë njihet botërisht si e djathtë, madje bashkëvuajtëse dhe bashkë-sakrifikuese e radhëve të para në kohën që mazhoranca e sotme ishte në opozitë.
“TemA” nuk e ndoqi mazhorancën dhe qeverinë në zbatimin e parimit “më i forti ka gjithmonë të drejtë”. Një zë shumë objektiv, mbrojtëse parësore e interesave të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe pasurisë kombëtare, gazeta hodhi dritë mbi afera korruptive që preknin nga shëndeti personal i mijëra njerëzve deri te siguria kombëtare.
E vënë para gjyqit si ati filozofik i qytetërimit perëndimor, Sokrati, gazeta është përpjekur vazhdimisht të tregojë se përse erdhi në pushtet e djathta shqiptare. Madje, për hir të së vërtetës, gazeta mund të kishte zgjedhur edhe të pinte në sisën bujare që qeveria e vë në dispozicion për çdo vasal apo klient të bindur.
Sot, “TemA”-s, ashtu si filozofit grek, po i kërkohet të pijë helmin, madje duke e paguar vetë nëpërmjet kontratës dhe investimit të bërë në ambiente bazuar tek ajo kontratë.
Por, para se të përdorin metodat e sistemit të quajtur “tirania athinase”, qeveria dhe kryeministri duhet të kenë parasysh që Sokrati u helmua, në kohën kur demokracisë dhe shekullit të artë athinas i kishte ardhur fundi dhe kishte filluar dekadenca. Madje, kur mendohet se edhe vetë populli i Athinës kishte filluar të humbiste besimin tek efektiviteti i sistemit demokratik.
Megjithëse jam i sigurt që një pjesë e madhe e spektrit politik shqiptar, pa dallim, nuk ka besuar kurrë tek efektiviteti i sistemit demokratik, qeveria “Berisha” nuk ka të drejtë të supozojë se edhe opinioni publik e ka humbur besimin.
Ngjarjet e vitit fatkeq 2008, që nga marsi i Gërdecit e deri te shtatori i Fazlliçit dhe dhjetori i dy projektligjeve më kontroversialë të dekadës së fundit, na tregojnë fare qartë sistemi politik oligarkik shqiptar i ka braktisur haptazi dogmat elektorale dhe është në rënie të lirë kredoje e besimi.
Por reagimi publik i ditëve të fundit duhet t’i ketë bërë të ditur këtij sistemi se opinioni publik shqiptar, megjithëse herë i keq-orientuar e herë i shushatur, herë i keqpërdorur dhe herë i abuzuar, nuk e ka humbur dhe shpresoj se s’do ta humbë besimin te një prej vlerave bazë të demokracisë: ekzistencës së medias së lirë.