E Diel, 1 Nëntor 2026

Qindra qytetarë solidarizohen me gazetën “TemA”

Nga Tema

Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë

Ne, ushtarakët e degës së SHKURSH të Tiranës së Re, radhitemi në krah të gazetës “TemA”, ofrojmë solidaritetin dhe mbështetjen nga e gjithë anëtarësia jonë. Një gazetë kritike e opozitare si “TemA” vlen për ne më shumë se të gjitha batalionet e letrave të gënjeshtërta që prodhon makineria mediatike e Sali kryeministrit. Ato që fsheh e përpunon në konspiracion ky kryeministër, i ka nxjerrë lakuriq gazeta Juaj dhe këtu qëndron shkaku kryesor i luftës që ai i ka shpallur kësaj gazete. Siguria kombëtare nuk cenohet nga media dhe nga gazeta “TemA” dhe ne, si specialistë, e dimë këtë më mirë se Saliu. I thoni atij se ai dhe miku apo miqtë e tij të tipit Fazlliç kanë qenë e janë rreziqet më të mëdha për këtë siguri. Saliu shkatërroi ushtrinë dhe shtetin më 1997 dhe gjyqin që s’ia bënë ata që e kishin për detyrë, ia bëtë vetëm Ju dhe kjo është një meritë historike e medias.

Sa për dijeni, Tipografia Ushtarake është pronë që e kemi ngritur ne ushtarakët. Lutemi trajtoni të drejtën tonë për të na u rikthyer kjo pronë e grabitur dhe në qoftë se kjo ndodh, ju sigurojmë se do ta vëmë në dispozicion të gazetës “TemA” e të çdo medieje të pavarur. Në gjykimin tonë profesional na rezulton se “strategu” Sali do ta humbasë betejën e nisur me gazetën Tuaj sulmuese. Fakte të shumta flasin se betejat me punëtorët e mendjes ai i ka humbur të gjitha. Kjo tregon se është një “strateg” me mendje që nuk i punon dhe nuk i mbush mirë. Prandaj paralajmërojeni për këtë rrezik, duke i thënë se është aksiomatike që në luftë më përpara ndeshen e fitojnë mendjet, pastaj armët dhe se ai nuk e ka të parën.

Shtoni dhe qindra ushtarakët e Tiranës së Re në frontin e luftës Tuaj të drejtë. Ju njoftojmë vendimin tonë për nxitjen e aksionit të solidaritetit të të gjithë ushtarakëve të Shqipërisë me Ju.

Për degën e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë të Tiranës së Re.

Kryetari

Kolonel Pëllumb ZAIMI

N/Kryetari

Major Ilir Çurri

Hamza Hatika

hatika2004@yahoo.com

Më vjen shumë keq, dhe sa të tjera do të dëgjojmë akoma?

Neshet Muçaj

mneshet@yahoo.ca

Redaksisë së gazetës “TemA”. Së pari ju përshëndes me konsideratën më të lartë për misionin që i keni vënë vetes për shumë probleme akute në gjirin e shoqërisë shqiptare këtu e 18 vjet. Ato janë plagë aq të rënda e të pashërueshme si puna e kancerit me origjine tranzicionin e stërzgjatur nga agjenti kryeministror, i quajtur nga unë [SALINO TROPO]. Ai, siç e dinë të gjithë shqiptarët, është infektuar nga ai sistem që e ngriti në kupolën e diktaturës si sekretar i partisë duke u ngjizur me fodullëkun, arrogancën, prepotencën, cinizmin, smirën, xhelozinë, gënjeshtrën, pabesinë dhe me grykësinë. Ai është siç thotë populli: Kopilin ta lë në derë dhe pëllet në çdo anë si i çmendur për fatkeqësinë e kopilit. Ndërhyrja arbitrare kudo e për këdo për të ruajtur pisllëkun e vetes, të fëmijëve e të miqve të tij duke krijuar amulli pas vetes vjen pasi ai lufton pa mëshirë duke vënë në përdorim të gjitha veglat kriminale për të arritur synimin e tij.

Nuk është faji juaj që në faqet e gazetës suaj të nderuar faqosni faktet me dokumente të pakundërshtueshme, për skandalet monstruoze dhe të papara e dëgjuara në historinë e vendit. Çmenduria e një psikopati, siç është ai, arrin deri në atë pikë sa “s’ka ç’t’i bëjë gomarit, i hyn samarit”, - siç thuhet për një të luajtur mendsh. Më indinjon mbyllja e gazetës tuaj. Ju uroj të shkruani kurdo. Ju do jeni në piedestal, kurse ai në fund të kazanit të plehrave.

Muhamet Kodraliu

mkodraliu@yahoo.com

Solidarizohem dhe unë me gazetën tuaj!

Gjej rastin t'ju përgëzoj për punën shumë të mirë që keni bërë në denoncimin e korrupsionit të qeverisë që dhe palcën po ia thith popullit të varfër për të mbushur xhepat e vetes, Fazlliçëve, Rixhëve, Bashrave, Taçrave, Selmanllarëve e Delijorgjëve. Ka ikur koha kur mund t'i gënjesh shqiptarët me një kile miell dhe me përralla nga e kaluara. E vërteta është ajo që gazetarët dhe mediat serioze denoncojnë përditë.

Berisha, hiq dorë nga këto forma presioni, boll i fundosur je, mos i jep shkelmin e fundit vetes!

Bashkim Hoxhaj,

Prizren

bashkim_hoxhaj@hotmail.com

Lajmi për tentim-mbylljen e gazetës “TemA” nga qeveria shqiptare, përkatësisht nga kryeministri Sali Berisha, nuk përbën diçka të re për demokracinë ende të brishtë shqiptare. Ky informacion, vërtet tejet shqetësues, teorikisht i pabesueshëm, praktikisht është i vërtetë. Është vazhdim i vijës antidemokratike e anti-pluraliste, kundër fjalës së lirë nga përhapësi i frymës intolerante dhe perverse të politikës së Sali Berishës. Për zbatuesin, aplikuesin, përhapësin e antivlerave demokratike, Sali Berisha, e vërteta është armik, ajo pengon, ajo vret. Fjala e lirë, aq shumë e proklamuar, tash synohet të mbytet. Sepse ajo po thotë diçka, ajo po informon. Njeriu i super-skandaleve që aktualisht mban postin kryeministror në Shqipëri, me kohë ka dhënë sinjalet e ngufatjes së vlerave më elementare të demokracisë në vend. Mënyra e daljes së tij në skenën politike shqiptare, për mua personalisht ka ngritur dhe akoma vazhdon të ngrejë pikëpyetje të mëdha. Ai njeri, ai politikan, ai lider... ka një mision. Misionet e tij tanimë veç janë bërë shumë herë të njohura për opinionin shqiptar e më gjerë. Që nga shkatërrimet e mëdha të fillimit të viteve ‘90; burgosjet e opozitarëve; rrahjet e gazetarëve; tolerimi e ndoshta ortakëria në skemat piramidale, që rezultuan me djegien e shtetit dhe humbjen e mijëra jetëve njerëzore; tentim-shkatërrimet e gjyqësorit; tentim-mbyllje gojësh opozitare dhe mediale, qeverisjet despotike etj... kanë një emër, ato kanë një adresë, Sali Berisha quhen. Orvatjet e fundit për ta mbyllë gazetën “TemA”, vetëm për faktin se kjo gazetë, editori i saj, gazetari i njohur Mero Baze, kanë publikuar aferat korruptive të Sali Berishës dhe familjes së tij në bashkëpunim me serbin e Bosnjës, Damir Fazlliç, s’janë gjë tjetër përpos orvatje për ta mbuluar korrupsionin e tij. Të tentohet të mbytet fjala e lirë që të mos merren vesh skandalet kriminalo- korruptive të një matrapazi të quajtur Damir Fazlliç, këtij serbi dhe antishqiptari, jo vetëm që na bëjnë të dyshojmë në Sali Berishën për lidhjet e tij me krimin e organizuar politik dhe ekonomik, por edhe për lidhjet e mundshme me qarqe që synojnë minimin e mëtejshëm të perspektivës së shqiptarëve në mbarë Ballkanin.

stafi i kucova.org

Bashkojmë zërin e protestës dhe ne ndaj vendimit të qeverisë për mbylljen e gazetës “TemA”. Prej disa muajsh analizat, investigimet dhe komentet e gazetës “TemA” kanë zënë vend të rëndësishëm në forumin tonë për vërtetësinë dhe seriozitetin në trajtimin e problemeve kryesore që po vrasin të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Duke e konsideruar një vendim arbitrar prishjen e njëanshme të kontratës së qeverisë me “Mediasoft” dhe nxjerrjen e saj nga mjediset e Tipografisë Ushtarake, i kërkojmë përgjegjësve në ekzekutiv të bëjnë hapa pas dhe të lejojnë gazetarët të vazhdojnë punën të qetë në ambientet e tyre.

Sadedin Çeliku

sadedin_celiku@yahoo.com

Ajo që po ndodh me Ju është normale me një kryeministër si Sali Berisha. Ju jeni njeri civil që falë formimit që keni guxoni të pasqyroni drejt realitetet shqiptare.

Së bashku me qindra e mijëra njerëz, jo vetëm gazetarë, solidarizohem me Ju dhe qëndrimin e moralshëm tuajin, i cili vlerësohet si një kontribut i vyer për demokracinë në përgjithësi dhe median në veçanti!!!

Denis Baxhaku

denisbaxhaku@gmail.com

Si shumë të tjerë kam dëgjuar dhe lexuar edhe në gazetën tuaj për largimin nga ambientet ku ju ishit prej kohësh me qira për t’ju dëmtuar, dhe për më shumë për të arritur falimentin.

Kam bindjen se sa më shumë të lodhen duke ju dëmtuar, aq më të fortë do të bëheni ju si gazetë dhe aq më shumë do të shitet gazeta e aq më shumë dëmtohet individi që kërkon t’ju dëmtojë, në këtë rast është krye-diktatori Berisha. Por kam bindjen se nuk do t’ia dali dot të eliminojë fjalën e lirë, të cilën ia ka premtuar vetë shqiptarëve në çdo palë zgjedhje, sidomos kur ishte në opozitë. Por po shohim që diktatori nuk ka brirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›