Policia prangos dhunuesin e gazetarit Luan Kondi

Kryeministri Sali Berisha dënoi aktin
TIRANE - Policia e Tiranës ka vënë dje në pranga autorin e dyshuara të keqtrajtimit në orët e vona të ditës së premte të zëvendëskryeredaktorit të së përditshmes “Albania”, Luan Kondi, para ambjenteve të kësaj gazete. Ai është shtetasi Leonard Pëllumb Zani, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë.
Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë të ditur se aktualisht, Leonard Zani ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr. 3 Tiranë, në një kohë që po punohet nga specialistët e policisë për të sqaruar rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
“Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, të angazhuar maksimalisht për të zbardhur tërësisht autorin dhe motivet e këtij incidenti, mundën të identifikojnë autorësinë e kësaj ngjarje”, theksohet në komunikatën zyrtare të zëdhënëse të Policisë së kryeqytetit, Alma Katragjini.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar dje edhe kreu i qeverisë Sali Berisha.
“Kryeministri Berisha dënon me ashpërsinë më të madhe agresionin ndaj gazetarit të gazetës ‘Albania’, Luan Kondi. Kryeministri Berisha e cilëson agresionin si një akt të shëmtuar kriminal dhe u ka kërkuar organeve kompetente gjetjen dhe vënien përpara ligjit të agresorit për aktin e tij të rëndë”, thuhej në reagimin e zyrës së shtypit.
Mjerisht edhe këtë herë Partia Socialiste, e përdori ngjarjen për të përfituar politikisht. Anëtari socialist në Komisionin Parlamentar të Medias, Musa Ulqini, deklaroi dje në mesditë në lidhje me këtë ngjarje se “klima e marrëdhënieve e qeverisë me mediat, po jep shenja shumë shqetësuese acarimi”.