E Diel, 1 Nëntor 2026

“Komardarja” e Bukureshtit



Fatos Çoçoli

Përtej rëndësisë historike të një ftese të mundshme për anëtarësim në NATO(të cilën shpresojmë ta marrim në takimin e nivelit më të lartë të vendeve anëtare të Organizatës Atlantike, që do të zhvillohet pas pak ditëve në Bukuresht), vjen mënyra se si po përjetohet kjo perspektivë tek administrata jonë publike. Fundjava që kaloi kishte dy ditë pushimi nga festa e Bektashinjve dhe Pashkët Ortodokse, që bashkë me të shtunën dhe të dielën bënin katër ditë pushim.
Dikush në qeveri u kujtua se këto katër ditë ishin shumë dhe “publikët”(janë 150 mijë syresh) u lajmëruan të dilnin në punë të katër këto ditë. Të paktën institucionet qendrore. Ata dolën të shtunën dhe të dielën (22 dhe 23 mars). Pastaj u lajmëruan së dyti që të mos dilnin për të hënën dhe të martën. Ndërsa dy ditët e fundjavës do t’ju paguhen si ditë jashtë orarit.
Lind pyetja: kujt i duhej kjo dalje e administratës publike? Mos vallë u bë për sytë e vëzhguesve të NATO-s për të treguar sa të përkushtuar jemi?
Nëse ka një arsye për të qenë, atë ia vlen ta dinë të gjithë shqiptarët. Një gjendje e tillë shpjegon disi hutimin dhe kaosin brenda qeverisë sonë, të krijuar pas tragjedisë së Gërdecit. Nëpër ministri më tepër se sa punohet, lexohen gazetat dhe ndiqen lajmet në televizione. Të duket sikur je një muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme.
Ka nisur madje një lloj shkrehjeje e administratës, tipike e vigjiljeve të zgjedhjeve. Kjo nuk duhet të ndodhë tani, pse ka kosto të jashtëzakonshme për vendin. Drejtuesve më të lartë të kësaj qeverie duhet t’ju kthehet kthjelltësia.
Ajo është e domosdoshme për t’ju shërbyer shqiptarëve. Shteti duhet të funksionojë rregullisht. Nuk jemi në janar të vitit 1997. Nuk ka përpara asnjë lloj furtune.
Qeveria nuk duhet të tregohet pasionante si një fëmijë. Ajo ka përgjegjësi të forta drejtimi dhe nuk duhet t’i vidhet timonit të anijes së quajtur Shqipëri. Ka emergjenca(sikurse ishte përmbytja nga shirat në Tiranë, apo rrugët e bllokuara nga dëbora në disa zona malore të vendit) që kërkojnë daljen e fortë të qeverisë me shtabet e punës që mund të organizojë apo marrje masash në ndihmë.
Qeveria jonë nuk ka përse të mbytet në kraterin e shpërthimit të Gërdecit. Pas-Gërdeci ka të bëjë me transparencën e llogarive të ndihmës që hapen nëpër banka dhe që dikush nga qeveria duhet të kujdeset që menaxhimi i tyre të njihet dhe të besohet nga shqiptarët. Ka të bëjë me një plan të përgjithshëm dhe të detajuar për rehabilitimin e jetës së banorëve të këtij fshati tragjik.
Sigurisht që është e vështirë të përpiqesh të gjesh fonde për këtë punë kolosale rehabilitimi. Dhe që FMN do të qëndrojë me çekan në kokë për të mos rritur shpenzimet jo prodhuese. Dhe sigurisht që edhe dhjamë nuk mund të nxjerrësh nga pleshti(përpjekja për të marrë 10 për qind të rrogave të administratës publike për të financuar një pjesë të rehabilitimit).
Ndërsa përgjegjësitë e tragjedisë le t’ua lerë organeve hetuese të shtetit. Përparësitë tashmë janë ato të gjithëkahershmet që i kemi: mbështetja për biznesin që të hapen vende të reja pune, vendosja e shtetit ligjor.
Ftesa për në NATO nuk është kuti votimi. Pavarësisht se edhe ajo ka vlerën e vet. Lind pyetja: ç’do të ndodhë nëse nuk e marrim këtë ftesë? Fundi i botës? Sigurisht që jo. Dhe qeveria jonë nuk ka pse të fshihet pas gishtit të vet.
Duhet kurajë për të dalë sa më shpesh në sytë e shqiptarëve tani dhe për të punuar e u përpjekur për punët e interesat e tyre. Ftesa që mund(apo jo) të vijë nga Bukureshti nuk përbën asnjë lloj komardare shpëtimi për qeverinë tonë. E vetmja “komardare” është besimi i qytetarëve tek qeveria që ju shërben. Ka ende shanse për këtë qeveri që kemi sot mbi kokë, për të mbyllur me punë të ndershme dhe organizim efikas këto katërmbëdhjetë muaj që i ngelen nga takimi me zgjedhësit në verën e vitit 2009. Për këtë i duhet të punojë seriozisht, jo për paradën e samitit të Bukureshtit.

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›