E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi Parlamentar i PS-së: Gërdeci, pika e parë e rendit të ditës në Kuvend



Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste është i vendosur që të mos lejojë shmangien nga axhenda e punimeve në parlament të diskutimeve për tragjedinë e Gërdecit. Një gjë e tillë është vendosur gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ku tema kryesore ka qenë ajo e diskutimeve për tragjedinë e Gërdecit si dhe kundërshtimi i taktikës së ndjekur nga maxhoranca, e cila po përpiqet të evitojë sa më shumë nga axhenda e parlamentit diskutimet për këtë çështje. Deputetët socialistë, por edhe deputetë të partive të tjera opozitare, nuk do të lejojnë që seanca e ditës së sotme parlamentare t’i shmanget diskutimeve për tragjedinë dhe në vend të tyre të diskutohet për çështje të tjera. Po për këtë çështje ka patur dje një debat të ashpër midis përfaqësuesve të opozitës dhe atyre të maxhorancës në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, deklaroi se të majtët nuk do të lejojnë që seanca e ditës së enjte të vazhdojë me asnjë rend tjetër dite veç tragjedisë. Për një tragjedi të tillë, kryeministri Berisha duhet të japë llogari si përgjegjësi kryesor.

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›