E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolaudimi i automjeteve, nisin procedurat për dhënien me koncesion

Koncesioni në këtë shërbim siguron përmirësim të cilësisë. Skema synon edhe uljen e numrit të aksidenteve në rrugë

Ervin Koçi

Shërbimi i Kontrollit dhe Kolaudimit të Automjeteve është në prag të privatizimit të tij dhe të dhënies me koncesion për 20 vjet. Ministria e Transporteve ka njoftuar dje nisjen e procedurave për dhënien e koncesion të këtij shërbimi deri tani i kontrolluar direkt nga shteti. Dhënia me koncesion i këtij shërbimi, sipas ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, do të sigurojë përmirësim të cilësisë së shërbimit dhe do të ulë numrin e aksidenteve në rrugë. “Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka përfunduar dokumentacionin ligjor për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve dhe do t’ia përcjellë Agjencisë së Prokurimit Publik për të bërë shpalljen, që do të thotë edhe fillimin e procedurave për dhënien me koncesion të këtij shërbimi”, - ka deklaruar ministri i Transporteve, Olldashi. Sipas tij, procedura e koncesionit do të jetë propozim i kërkuar për një kohëzgjatje deri në 20 vjet. “Financimi i shërbimit do të jetë nga tarifat për shërbimin e kontrollit të detyrueshëm të mjeteve rrugore dhe rimorkiove”, - tha Olldashi. Ai ka shtuar më tej se objektivat e këtij koncesioni do të jenë përmirësimi i cilësisë së shërbimit, rritja e sigurisë së qarkullimit në rrugë, zvogëlimi i ndotjes në mjedis, rritja e eficiensës së shërbimit, modernizmi i teknologjisë së shërbimit nëpërmjet vendosjes së standardeve teknologjike të larta në kontrollin e mjeteve, si dhe sigurimi i një infrastrukture të besueshme për një kontroll teknik profesional”, - tha kreu i MPPTT-së.

Procesi i koncesionit

Të gjithë subjektet e interesuara që plotësojnë kriteret teknike për të marrë pjesë në këtë koncesion mund të dorëzojnë dokumentacionin në ministri brenda muajit prill 2008. Kreu i MPPTT-së, Olldashi, tha se "ftesa do të botohet në Buletinin e Njoftimeve Publike, si dhe në shtypin ndërkombëtar dhe vendas". MPPTT-ja, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, do të bëjë kualifikimin e secilit ofertues që ka paraqitur aplikimin në procedurën parakualifikuese brenda muajit maj të këtij viti dhe do ta shpallë listën e subjekteve në Buletinin e Njoftimeve Publike. "I gjithë procesi do të jetë i hapur dhe transparent për mediat dhe do të ketë akses në të gjitha procedurat që do të kryhen", - deklaroi ministri Olldashi.

Standardet e BE-së

Objektiv tjetër i MPPTT-së mbetet edhe sigurimi i një infrastrukture të besueshme për një kontroll teknik profesional, të saktë dhe të sigurt, në përputhje me Direktivat e Bashkimit Europian. Ky proces ka lidhje dhe me përafrimin e legjislacionit të shteteve anëtare të BE-së, në lidhje me përshtatshmërinë ndaj qarkullimit të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre, të ndryshuar. Në hartimin e dokumentacionit është treguar i gjithë kujdesi i duhur për përcaktimin e kritereve teknike, të cilat pritet të sjellin në këtë garë subjektet me përvojë dhe me kualifikime teknike të përafrueshme me operatorët e këtyre shërbimeve në vendet e BE-së. MPPTT-ja, sipas Olldashit, shpreh angazhimin se gjatë kësaj procedure do të ketë në vëmendje përcaktimin e kritereve dhe që fituese të shpallet oferta, e cila do të ofrojë shërbim cilësor sipas standardeve të BE-së, në kohëzgjatje të caktuar, kundrejt një kostoje të përballueshme për konsumatorët shqiptarë.

Objektivat kryesore të koncesionit:

1. Përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj shtetasve dhe subjekteve shtetërore dhe private;
2. Rritja e sigurisë së qarkullimit në rrugë;
3. Zvogëlimi i ndotjes në mjedis;
4. Rritja e eficiencës së shërbimit ;
5. Modernizimi i teknologjisë së shërbimit nëpërmjet vendosjes së standardeve teknologjike të larta në kontrollin e mjeteve;
6. Sigurimi i një infrastrukture të besueshme për një kontroll teknik profesional, të saktë dhe të sigurt në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian 96/96/EC, datë 20 dhjetor 2006, mbi përafrimin e legjislacionit të shteteve anëtare në lidhje me përshtatshmërinë ndaj qarkullimit të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre, të ndryshuar.

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›