Fondi i emergjencës për Gërdecin, nis shpërndarja në Posta
Zyra postare, e hapur për emergjencë në Bashkinë e Vorës nga "Posta Shqiptare", ka përfunduar shpërndarjen e fondit të emergjencës së qeverisë për familjet e fshatit Gërdec dhe Marqinet. "Posta Shqiptare" sh.a. bën të ditur se ky proces u krye në kohë rekord, brenda dy ditëve, në bashkëpunim me Bashkinë e Vorës dhe me transparencë të plotë për banorët. Fondi i emergjencës, që u akordua nga qeveria, ishte 86 milionë lekë për rreth 530 familje të fshatit Gërdec dhe Marqinet. Burime nga "Posta Shqiptare" bënë të ditur se shpërndarja e fondeve nisi menjëherë pas afishimit të listave nga Bashkia e Vorës, pranë zyrës postare në këtë zonë, ku sipas emrave të publikuar kryhej tërheqja e parave, në mënyrë transparente, bazuar mbi dokumentacionin e lëshuar nga zyra e gjendjes civile pranë Bashkisë së Vorës, si dhe autorizimet e kryebashkiakut, që vërtetonin personin përfitues. "Posta Shqiptare" hapi zyrën e emergjencës në qytetin e Vorës para disa ditësh për të qenë e gatshme në shpërndarjen e fondit të qeverisë në mbështetje të banorëve të Gërdecit. Drejtoria e "Postës Shqiptare" ofroi ditët e fundit një grant prej 10 mijë eurosh në llogaritë e hapura nga qeveria për banorët e Gërdecit, ndërsa punonjësit e saj në mënyrë vullnetare kanë kontribuar me shumën prej 577.200 lekë.
KESH-i, lidhet rrjeti elektrik në fshatin Gërdec
Që prej mbrëmjes së të mërkurës, 40 për qind e fshatit Gërdec do të furnizohet me energji elektrike. Gjatë paradites së djeshme, ekipet e shpërndarjes së rrjetit elektrik kanë punuar për rindërtimin e lidhjeve të energjisë për shumë shtëpi të fshatit, të cilat mbetën pa energji që prej tragjedisë së 15 marsit. Vetë kreu i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergji Bojaxhi, ka inspektuar dje punën e ekipeve duke u siguruar se në ditët në vijim do të mundësohet furnizimi i plotë dhe për shtëpitë në krahun tjetër të kodrës. Deri tani disa banorë kishin mundur të siguronin energji duke bërë lidhje mjaft larg zonës sa për të ndriçuar shtëpitë e tyre të dëmtuara.
Më 14 maj 2008, gara për koncesionin e HEC-it të Nicës
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të zhvillojë në datën 14 maj 2008 garën konkurruese për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe shfrytëzimit të hidrocentralit të ri të vogël të “Nicës”, në rrjedhën e lumit Velçan, në Rrethin e Korçës. Burime zyrtare të METE-s bënë të ditur se gara do të zhvillohet në zyrat e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në datën 14 maj 2008.
27 Mars 2008