BSH-ja nuk ndryshon normën bazë të interesit të lekut
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind. Sipas BSH-së, ky vendim u mor pasi Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi zhvillimet më të fundit në ekonomi. Sipas raportit të dalë nga Këshilli i BSH-së, “norma vjetore e inflacionit në muajin shkurt rezultoi 3.56 për qind, vlerë brenda kufirit të tolerancës së objektivit të bankës”. Norma mesatare vjetore e inflacionit është e njëjtë me vlerën e objektivit të Bankës Qendrore prej 3.0 për qind, duke reflektuar normën e ulët të inflacionit në fillimin e vitit 2007. Inflacioni vjetor i muajit shkurt, ashtu siç pritej, u ndikua nga rritja e çmimeve të disa artikujve ushqimorë, ndërkohë që mallrat dhe shërbimet e tjera nuk pësuan ndryshime të rëndësishme të çmimeve. Zhvillimet në treguesit monetarë e financiarë, si dhe ecuria e kursit të këmbimit, janë në përputhje me pritjet më të hershme të BSH-së. Të dhënat flasin për ngadalësim të ritmit të rritjes së agregatit M3 dhe asaj të kredidhënies për sektorin privat. Tregjet financiare kanë shfaqur qëndrueshmëri të normave të interesit, të cilat në pjesën më të mirë kanë përcjellë sinjalizimet e politikës monetare. BSH-ja për dymbëdhjetë muajt në vijim evidentoi se rreziqet inflacioniste janë ende të pranishme në periudhën afatmesme, veçanërisht në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe mundësisë për shfaqjen e efekteve të raundit të dytë në një kohë të mëvonshme. Për këtë arsye, BSH-ja do të monitorojë me kujdes të veçantë çdo informacion dhe zhvillim në javët në vijim. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së miratoi dhe rregulloren “Për sistemin e kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja”. Në këtë mbledhje u miratua edhe Raporti Vjetor i BSH-së për vitin 2007, i cili së shpejti do të paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë.
27 Mars 2008