E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombet e Bashkuara, nxisin mbështetjen për barazinë gjinore

Ndërkohë që Shqipëria dhe bota festojnë 100 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas më 8 Mars, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara theksojnë nevojën që qeveria, shoqëria civile, sektori privat, media dhe gratë e burrat në veçanti të bashkojnë forcat për të bërë ndryshimet e nevojshme në ligje, politika, qëndrime dhe sjellje për të siguruar që të gjitha gratë shqiptare të marrin pjesë plotësisht në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore.

Dhuna në familje në Shqipëri mbetet e përhapur gjerësisht. Gjysma e grave shqiptare tregojnë se kanë vuajtuar nga një formë e abuzimit ndërkohë që të paktën 31% kanë vuajtur nga abuzimet fizike dhe 13% nga abuzimet seksuale. Vetëm 33% e personave që janë regjistruar në arsimin e mesëm profesional janë gra. Numri i grave në parlament është rritur nga 7% në vitin 2005 në 16% në vitin 2009. Më pak se 3% e kandidatëve për postin e kryetarit të bashkisë në vitin 2007 ishin gra dhe nga 33 gratë që kandiduan, vetëm 9 fituan. Ne qeveri ka vetem nje grua.
Të drejtat e grave janë një kusht paraprak për zhvillimin e një vendi. Siç thotë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon "Mbështetja e përparimit të shpejtë të grave nuk është vetëm moralisht e drejtë, por i shërben edhe zhvillimit politik dhe ekonomik." Forumi Ekonomik Botëror, idetifikoi lidhjet e forta ndërmjet progresit në çështjet gjinore dhe rritjes së GDP-së për frymë.
100 vjetori i Ditës Ndërkombëtare të Gruas shënon gjithashtu një angazhim të rinovuar nga sistemi i OKB-së për të përshpejtuar qëllimet e Organizatës mbi barazinë gjinore dhe fuqizimin e femrave me ngritjen e agjencisë së OKB-së UN Women, e cila u lançua zyrtarisht më 24 shkurt. Kjo agjenci e re e OKB-së bashkon dhe bazohet mbi punën e vyer të katër pjesëve dikur të veçanta të sistemit të OKB-së duke bashkuar kështu burimet, ekspertizën dhe mandatet për të arritur një ndikim më të madh.
Respektimi i të drejtave të njeriut do të thotë respektim i të drejtave të grave. Shqipëria është një shtet palë i Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW). Si pjesë e angazhimeve kombëtare për të arritur Objektivin e tretë të Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM), nxitja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i grave, është pranuar se arritja e këtij qëllimi është kryesore për arritjen e të gjitha OZHM-ve.

Duke aspiruar hyrjen në BE, Shqipëria është e angazhuar për zbatimin e standardeve dhe qasjeve të Këshillit të Evropës për mosdiskriminimin, përfshirë trajtimin e barabartë të burrave dhe të grave, pjesëmarrjen publike në vendimmarrje, dhe mbështetjen për shoqërinë civile. OKB-ja nxit Shqipërinë që t`i përmbushë të gjitha këto angazhime.

Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj për zbatimin e ligjeve dhe politikave për barazinë gjinore. Këtu përfshihet edhe ligji për barazinë gjinore në shoqëri, që parashikon një kuotë përfaqësimi prej 30% në organet vendimmarrëse. Duke marrë në konsideratë zgjedhjet e ardhshme vendore, OKB-ja nxit zbatimin e këtyre kuotave për t`i dhënë një kuptim të vërtetë të drejtave të grave për të votuar dhe për të marrë pjesë në drejtimin e çështjeve publike pa u diskriminuar. OKB-ja gjithashtu bën thirrje për një monitorim efektiv të zbatimit të këtyre kuotave, nga ana e shoqërisë civile, qeverisë dhe partive politike.

OKB-ja nxit promovimin e më shumë qëndrimeve dhe sjelljeve që respektojnë gjininë nëpërmjet arsimimit, ndërgjegjësimit dhe roleve modele. Autoritetet, njerëzit e jetës publike dhe të gjithë qytetarët duhet të kundërshtojnë abuzimin fizik dhe verbal ndaj grave. Media ka një rol të rëndësishëm në ndryshimin e nevojshëm të sjelljes dhe në përgëzimin e arritjeve të grave.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›