Kombëtarja, Han merr një grup me probleme
TIRANE- Kombëtarja shqiptare do të nisë sot grumbullimin për dy ndeshjet e radhës, ato me Hungarinë dhe Portugalinë. Ekipi do grumbullohet në Budapest, që do të jetë rezidenca kuqezi për të paktën një javë. Futbollistët që luajnë në Shqipëri do të udhëtojnë së bashku, ndërsa legjionarët që aktivizohen në Evropë do të fluturojnë direkt për në kryeqytetin hungarez. Ndërkohë, portieri Lika ka pësuar një dëmtim në ndeshjen që Terek Grozni luajti dje ndaj Amkarit në kampionatin rus dhe ka njoftuar se nuk do jetë. Në vend të tij Han ka thirrur portierin e Palermos në Itali, Samir Ujkani. Pas dy ndeshjeve të para kombëtarja kuqezi kryeson grupin A me 4 pikë, por Hungaria duket prova e vërtetë për skuadrën. Janë disa futbollistë që s’ vijnë në formën e tyre optimale në këtë ndeshje, për arsye dëmtimesh dhe mosaktivizimi të rregullt, si Duro, Salihi, Kapllani,Bogdani apo edhe Skela.
(s.g/a.l/BalkanWeb)